Ky është një moment shumë i vështirë për të bërë një analizë të saktë. Është një situatë dëshpëruese dhe mungon ndoshta logjika e ftohtë profesionale dhe emocionale. Nga njëra anë duhet që ta ruajmë dhe ta mbrojmë këtë ekip kombëtar me djem vërtetë të talentuar, të cilët janë rritur dhe perfeksionuar në klubet më të mira të klubeve europiane, por në të njëjtën kohë ajo që vlen për t’u theksuar është shpirti i garës.

E them këtë sepse shpirti dhe loja me ndjenjë të lartë kombëtare ka pasur supremaci edhe mbi aftësitë teknike, mbi vendosjet taktike, edhe me lojën në tërësinë e saj. Dhe unë mendoj se këtu duhet filluar. Duke krahasuar këto dy ndeshjet e fundit, si Izraeli, ashtu edhe Islanda kanë fituar me mungesa të rëndësishme në formacion, me lojtarë shumë të rinj, por me të vetmin dallim që ata i kishin besuar lojës kolektive, ndërsa ekipi ynë vuan shumë në këtë aspekt. Por të mos harrojmë se kjo ka qenë baza e të gjitha ekipeve kombëtare të futbollit në Shqipëri.

Kjo ndeshje nuk lejon t’i bësh analizë të thjeshtë profesionale, sepse jam i bindur që asnjë nuk do që të humbasë dhe asnjë nuk do që të fajësohet, por unë mendoj pikërisht që si lojtarët ashtu edhe drejtuesit e skuadrës duhet të pranojnë që në punën e tyre ka pasur dobësi të theksuara.

Nuk kanë qenë transparentë dhe mbi të gjitha, ndoshta është hera e parë, që lojtarët dhe jo trajneri, flasin hapur. Ata thonë që jo vetëm duhet të ketë ndryshime, por në radhë të parë duhet të ndryshojë mentaliteti dhe të rritet dëshira për ekipin kombëtar. Jo me fjalë, por me punë. Barazimi, ajo që i mjaftoi ekipit islandez, nuk na mjaftoi neve.

Mirëpo kam parë diçka vërtetë të çuditshme këtë edicion: asnjëherë nuk kemi përfituar nga ndërrimet që bëhen gjatë lojës. Si në Izrael, ashtu edhe dje në “Air Albania”, ndërrimet e kundërshtarëve rezultuan shumë të frytshme dhe të suksesshme. Ndërrimet te ne, sidomos dje, ishin çorientuese dhe aspak profesionale. Karakteri i një ekipi kombëtar, si në çdo fushë të jetës, formohet edhe duke bërë gabime. Rritjet ndodhin edhe pas humbjeve, por më vjen keq ta pranoj se gabimet te ne jo vetëm që janë të shpeshta, por asnjëherë nuk ka ndjenjë përgjegjësie.

Qëllimisht nuk po hyj në detaje taktike të ndeshjes, sepse sot më shqetëson akoma më shumë tensioni i krijuar mes lojtarëve dhe tifozëve. Kjo që ka ndodhur dje midis opinionit publik dhe ekipit kombëtar, është nga gjërat më të rralla që mund të ketë ndodhur në futboll. Ky duhet të jetë fillimi i një analize të thellë dhe me përgjegjësi, që nga drejtuesit më të lartë të federatës dhe deri te lojtari më i thjeshtë. Ekipi kombëtar që sot e tutje duhet të mbrohet duke bërë një analizë të hollësishme për ecurinë e mëtejshme në kompeticionet në vazhdim.

TRAJNERI NUK QËNDRON DOT MË

Ka një shprehje, të cilën në këtë rast ndoshta është me vend ta përdor: “Trajneri i Kombëtares qëndron në një fuçi me barut, por nuk e di orën se kur do t’i plasë…” Të jem i sinqertë, unë nuk mendoj se është faji i një njeriu: as i trajnerit dhe as i një lojtari. Faji është kolektiv dhe përgjegjësitë janë kolektive. Përgjegjësit e parë për një situatë të tillë janë drejtuesit e federatës dhe ata që menaxhojnë ekipin kombëtar.

Dikush duhet të marrë përsipër edhe atje “lart” se përse kemi arritur deri këtu. Por ama duhet ta pranojmë se trajneri nuk qëndron dot më pas një edicioni si ky dhe me këtë tension të lartë që është krijuar mes skuadrës dhe tifozëve. Personalisht, po të isha në pozicion të tillë, do të kisha dhënë dorëheqjen pa marrë parasysh as kontratën dhe as detaje të tjera./PANORAMA-SPORT/