Monday, February 9, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREOpinion nga Qamil Gjyrezi/ KF Vllaznia 107 vjet histori dhe roli i...

Opinion nga Qamil Gjyrezi/ KF Vllaznia 107 vjet histori dhe roli i presidentit Xhaferi dhe trajnerit Martini

Sivjet është 107 vjetori i krijimit të KF Vllaznia, që përfaqëson identitet historik dhe është simbol i qytetit të Shkodrës. Sporti dhe arti kanë luajtur një rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor, sportiv dhe intelektual të Shkodrës. ‘Shoqëria kulturore e sportive Vllaznia’ dhe ekipi i Vllaznisë kanë lënë ‘gjurmë’ të pashlyera, jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë.

Shumë familje shkodrane kanë luajtur një rol të madh, për zhvillimin e ekonomisë, kulturës, sportit dhe artit, duke ruajtur traditën e hershme dhe duke e çuar më tej në vite. Familja Gjyrezi krahas disa familjeve shkodrane, kanë qenë themelues i shoqërisë Vllaznia më 16 Shkurt 1919. 107 vjet më parë, krijimi i Shoqërisë ‘Vllaznia’, sot KF Vllaznia u konsiderua si ‘zgjim i djelmnisë shqiptare në fushën politike, letrare, teatrale, muzikore, futbollistike e gjimnastikore’.

Ky gjest i rinisë shkodrane, në kushtet e luftës për qëndresë kombëtare ishte një kontribut dhe një manifestim i shkëlqyer i identitetit kombëtar dhe vlerave tona më të mira qytetare. Bashkimi i shkodranëve në Shoqërinë ‘Vllaznia’ pa dallim përkatësie fetare, bindje e ideje është ndër mesazhet e mëdha të pasurisë të pashterur shpirtërore dhe aspiratës shqiptare për ndërtimin e një shoqërie të bashkuar e të përparuar.

Historiani i njohur shkodranë Xhevat Repishti shkruan:“Në pranverën e vitit 1919, që flet në kahun e rrymës që kërkonte shpëtimin e vendit, duke u mbështetur në mundësitë dhe patriotizmin e vendit, është themelimi i Shoqërisë “Vllaznia” dhe veprimtaria e pasur dhe e suksesshme e kësaj shoqërie”.

Për merita të veçanta, Këshilli Bashkiak Shkodër me datën 21.10.2014 i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi”, grupit themelues të Shoqnisë Vllaznia me motivacion: ‘Krijues dhe themelues të mrekullisë që quhet ‘Vllazni’. Kjo trashigimi e vyer me të cilën krenohet Shkodra, shkollë e sigurtë edukimi ku rriten breza të tërë sportistësh me tiparet më të mira që karakterizojnë Shkodrën dhe sportëdashësit e saj’. Kjo trashigimi e vyer historike, sportive dhe kulturore, me të cilën krenohet Shkodra me të vërtetë duhet ruajtur, vlerësuar e çuar më tej.

KF Vllaznia ‘subjekt historik’, Shkodra qytet emocionalisht kërkues
K.F. Vllaznia nuk është thjesht një skuadër sportive, por një ‘subjekt historik’ me kujtesë të gjatë. Në psikologjinë kolektive, kjo quhet identitet gjeneratash. Lojtarët aktualë bartin simbolikisht sukseset, fitoret dhe ‘dramat sportive’, humbjet e brezave të mëparshëm të futbollistëve. Fanella e kuqe-blu funksionon si objekt simbolik që lidh individin me historinë. Profili psikologjik i ekipit shkodran ndikohet fort nga qyteti. Shkodra ka kulturë kritike, ironike, humoristike, por thellësisht emocionale. Tifozi shkodran është i ditur, kërkues dhe i përfshirë emocionalisht.


Vllaznia, “arketipi i luftëtarit me dinjitet”, trajneri Martini si figurë ndërvepruese, ekip–trajner–qytet


Vllaznia kryeson kampionatin “Abissnet Superiore” me 42 pikë dhe meritën kryesore për këtë e ka stafi teknik, në krye me trajnerin Edi Martini. Rezultatet pozitive të Vllaznisë sot, renditja në klasifikim në Abissnet Superiore, gjëndja e mirë fizike, psikologjike dhe optimiste janë të lidhura me presidentin Xhaferi, trajnerin Martini, drejtorin teknik Sinani dhe me stafin teknik të kësaj skuadre. Edi Martini, trajneri i Vllaznisë, është një trajner dhe ish-futbollist me një CV të pasur.

Vllaznia mbart arketipin e ‘luftëtarit fisnik’, jo thjesht fituesit me çdo kusht.Karakteristika, rezistencë, durim, ndjenjë nderi sportiv. Në strukturën e ekipit, trajneri përfaqëson figurën e ‘Atit simbolik’. Funksionet e tij vendosin kufinj, japin siguri, legjitimojnë autoritetin. Në një ekip si Vllaznia, trajneri nuk duhet të jetë autoritar por etik dhe i drejtë. Në psikologjinë moderne të sportit fiton ai trajner që kontrollon narrativën. Trajneri i Vllaznisë duhet të ndërtojë mesazhin: “ne jemi në proçes”, jo “ne jemi të pamposhtur”.

Narrativa e duhur ul presionin e jashtëm rrit përgjegjësinë e brëndshme. Në të gjitha prononcimet për media, Martini ka narrativë, komunikon thjeshtë e mirë me publikun. Trekëndëshi psikologjik ekipi, trajneri, qyteti ka rëndësi të madhe tek Vllaznia. Kur këta janë në harmoni: ekipi fiton stabilitet mendor, lojtarët performojnë pa frikë, publiku bëhet aleat emocional. Roli i trajnerit eshte kyç jo vetëm taktikisht, por si figurë simbolike e ekuilibrit psikologjik. Trajnerët modernë duhet të jenë ekspertë teknikë, mendimtarë strategjikë, psikologë dhe menaxherë, duke u përshtatur me nevojat individuale të lojtarëve, ndërkohë që udhëheqin një ‘ekip’ më të gjerë dhe të specializuar në ‘prapaskenë’.


Presidenti Xhaferi, pozicion i fuqishëm menaxherial, sportiv, diplomatik dhe komercial


Alban Xhaferi është një sipërmarrës i suksesshëm nga Shkodra, i njohur për angazhimin e tij në projekte të rëndësishme zhvillimore dhe investime në rajon, me fokus të veçantë në qytetin e Shkodrës. Një rol shumë të rëndësishëm në arritjet aktuale të Vllaznisë ka presidenti Xhaferi, menaxher dhe biznesmen i suksesshëm dhe ish-artist, muzikant shumë i mirë. Presidenti Xhaferi, drejtuesi teknik Sinani dhe trajneri Martini, krahas stafit drejtues teknik, kanë një rëndësi të veçantë për sukseset kombëtare dhe ndërkombëtare të Vllaznisë.

Roli i një presidenti të futbollit sot, veçanërisht në nivel global (FIFA) dhe kontinental (UEFA), ka evoluar në një pozicion të fuqishëm, diplomatik dhe komercial, duke balancuar administrimin e një industrie masive globale me përgjegjësinë e ruajtjes së integritetit të sportit. Le të jetë ky 107 vjetorë i KF ‘Vllaznia’ një ‘shenjë e mirë’ për arritjen e rezultateve të larta dhe shumë të dëshiruara për tifozët e zjarrtë jo vetëm shkodranë, Vllaznia kampion dhe fituese e kupës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments