Nga prof. dr. XHEVDET ZEKAJ

Florian Marku është imazhi i emigrantit shqiptar, që përmes vuajtjeve të shumta dhe sakrificave ia kanë dalë të bëhen dikushi në vende të huaja. Ai po bën tashmë një punë shumë të mirë si boksier, në kategorinë e tij, po promovon flamurin dhe vendin tonë. Një qytetar model, shembull për emigrantët se si duhet t’i përmbushin ambiciet e tyre profesionale dhe njerëzore, jo si kacatorrë, shitës droge etj. etj.

Deri këtu ai meriton mirënjohjen e shqiptarëve, por këtë gjë e bëjnë mbi 1 milionë bashkomas tanët nëpër botë, që kanë bërë emër të mirë e të madh në profesione të ndryshme, edhe në sport. Nuk besoj se Floriani është më i madh se Hysaj si sportist, as se Lorik Cana dhe legjionarë të tjerë të kombëtares kuqezi nëpër botë. Nuk besoj se është boksier më i mirë edhe se ndonjë kampion i këtushëm në këtë sport. Zef Gjoni, trajneri i kombëtares sonë e tha me forcë këtë gjë, i bindur se stërvit sfidantë dinjitozë për duele me Markun.

Marku nuk ka këllqe të ndeshet me Errol, prit të ndeshet me ‘top 50’, pastaj të shkoj në ‘top 20’ dhe të kërkojë duel me Errol. Janë disa emra të tjerë që presin për duel me Spence, Crawford, Ugas, Ennis, Ortiz Jr, Thurman, Stanionis, Avanesyan, Butaev, Benn. Ka punë puna, ndeshu me amatorë dhe pretendon të shkosh në ‘top 10’, kjo nuk shkon. Sidomos WBC që është tmerrësisht shumë kërkues dhe do sfida të shumta për të shkuar në majë. Një ndeshje që shkoi përtej pritshmërive ajo mes Florian Markut dhe Miguel Parra. Meksikani ishte i 250-ti në botë, por arriti që ta vendoste jo pak në vështirësi boksierin shqiptar, për të diskutuar seriozisht edhe humbjen e tij në “Air Albania”.

Histeria dhe historia kolektive nuk duhet të ngatërrohen. Le të merren me Beqirin, Uldedajn, Zeqirin e Vlorës, edhe ata boksojnë në nivelet e Markut. Ne kemi probleme inferioriteti karshi atyre që stërviten e garojnë jashtë vendit. Ne kemi sportistë në Shqipëri me rezultate shumë herë më të mira se të Florian Markut. Si mund të vihen në lëvizje drejtues të pushtetit lokal e deri te maja e piramidës qeverisëse në vend për dikë që nuk është kampion bote, sikurse u trumbetua, që ndeshet me një rival meksikan të dorës së dytë e të tretë në boks?! Kjo është e pafalshme, sepse në planin zyrtar i duhet dhënë merita cilitdo, me filozofinë “kapelen sipas kokës”.

Nuk mund ta trajtosh dikë si kampion të madh, sikurse ndodhi në rastin e Markut, dhe të lësh të tjerët në hije. Ky lloj standardi nuk ka asgjë profesionale, asgjë shtetërore. Mirë bëri Eklent Kaçi, i cili realisht u shpall kampion bote në bilardo, por askush nuk u kujtua për të, kur tha po për mua pse nuk organizuar pritje!!! Këto manovra politike për të marrë merita edhe aty ku nuk ka janë të dala boje.

Çfarë meritash ka Florian Marku për Lushnjën, fjala vjen, ku u nderua si qytetar nderi, po ta krahasosh atë me të madhen Vaçe Zela. Pra, mos i ngatërroni stacionet, sidomos ju shtetarë, sepse populli ynë, tashmë në kohën e mediave sociale dhe internetit, nuk e ha sapunin për djathë. Pra, doni ta shisni ju Markun si kampion bote apo jo, mjafton një navigim në internet dhe kupton se nuk kishte asgjë të tillë në ndeshjen e tij me meksikanin.

Cilat janë këto shoqata që e promovojnë atë dhe boksierë të tjerë, të cilët fitojnë bukën e tyre përmes kësaj rruge plot sakrifica? Bëhet fjalë për “WBC silver Interim Championship”, pra jo për atë që u trumbetua me të madhe. Ky titull është i kategorisë se tretë të divizionit WBC, ku në të bëjnë pjesë luftëtarë të parenditur në listën botërore. Marku mori një medalje (brez) të argjendtë të përkohshme nga shoqata e boksit botëror “WBC silver Interim Championship”, një nga të shumtat e këtij lloji. Kuptohet, gjithçka u trumbetua me të madhe edhe falë promotorit anglez të Markut. Kujtojmë se janë katër federata zyrtare të boksit botëror, që i kemi thënë edhe më përpara, gjithkush mund ta verifikojë përmes internetit se Marku nuk garon nën ombrellën e tyre.

Natyrisht, si shqiptar ndihemi mirë që ai fiton ndeshje, që përfaqëson flamurin kuqezi, por në ato nivele reale amatore. Përdorimi i të tillë “kampionëve” nga kushdo për të fituar kredo politike apo publike është gabimi më i madh. Nëse një promotor apo edhe vetë sportisti duan të bëjnë para me mite false, kjo është punë tjetër. Ekziston edhe boksi i rrugës. Por, për t’i lancuar si modele për sportistët e rinj ka të tjerë në vendin tonë para Markut, si Briken Calja, Erkand Qerimaj, Luiza Gega, Uldedaj etj.


Nje boksier i ri si model

Jurgen Uldedaj i datelindjes 26.8.1997 5 vjet ka luajtur si boksier i sport Klub Tiranes, njekohesisht perfaqesues i kombetares se boksit per junior deri ne moshen 18 vjec. Gjate kesaj periudhe si perfaqsues i kombetares ka keto arritje: i ka prure Shqiperise medalje bronzi ne kampionatin boteror “Anapa” Rusi, medalje bronzi ne kampionatin europian Zagreb, Kroaci, medalje ari ne turneun boteror dhe vendi i pare ne Baku, Azerbajxhan, vendi i pare dhe sportisiti me i mire i aktivitetit ne turneun nderkombetar.

Ne moshen 18 vjecare eshte shperngulur ne Gjermani dhe ka bere kontrate me klubin e famshem europian “Esses Boxing Magdeburg”, Gjermani, gjithmone si perfaqsues i flamurit kombetar shqiptar. Gjate periudhes 18 deri me 25 vjec ne boksin profesionist ka zhvilluar 14 ndeshje, ku mban 14 fitore, nga keto 5 me nokaut. Eshte mbajtesi i titujve botror WBO, WBC per junior, per moshen 25 vjec. Eshte boksieri me i mire ne bote per moshen deri ne 25 vjec.