Futbolli luhet për të fituar, kjo dihet. Megjithatë, si kudo në jetë, edhe këtu nuk ka rregull pa përjashtim. Aq më tepër nëse flasim për një debutuese në grupet e Champions League si Vllaznia për femra, krenaria e futbollit shkodran, por edhe e krejt shqiptarisë.

Skuadra kuqeblu bëri historinë duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, dicka që vështirë edhe ta ketë imagjinuar ndonjë shqiptar. Që aty, misioni konsiderohej i përmbushur me sukses të plotë. Përballjet në vijim ishin për prestigj, eksperiencë, imazh, por edhe të ardhura financiare.

Nëse Vllaznia e femrave ka pak më shumë se një dekadë jetë, këtë “stacion” të Champions League e kanë parë “me dylbi” klubet tona të futbollit me gati një shekull ekzistencë. Hapi madhështor i vajzave kuqeblu, me në krye presidentin ambicioz Lazër Matija, është burim krenarie për cilindo nga ne si shqiptarë. Një model suksesi për t’u ndjekur në futbollin tonë, edhe nga klubet e meshkujve.

Vetëkuptohet se rezultatet dalin krejt në plan të dytë nëse përballesh me gjigantë si Real Madridi, Chelsea apo PSG. Nga ky këndvështrim, vajzat kuqeblu nuk duhen gjykuar kurrsesi, vetëm të përgëzohen. Edhe ato vetë, bashkë me stafin teknik e presidencial, duhet ta shijojnë këtë mrekulli qoftë për imazh, eksperiencë dhe të ardhura financiare. Asnjë merak nuk mund të kenë se nuk po mposhtin dot tri super klubet e përmendura më sipër, që kanë buxhete dhjetëra herë më të mëdha se krejt skuadrat tona të Superiores (meshkuj).

Vllaznia për femra ka hyrë tashmë në histori, është e para skuadër shqiptare (përfshirë dhe meshkujt) që luan në fazën e grupeve të Champions League. Ka pasur nderin e madh të përballet me Real Madrid, PSG dhe Chelsea, skuadra që shqiptarët kanë pasur shansin vetëm t’i përcjellin nga televizori. Parë kështu, vajzat kuqeblu meritojnë të gdhenden me germa të arta në historinë e futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Me kaq pak jetë ato janë ngjitur në “Olimp”, si një shembull frymëzues pasioni dhe meritokracie.

Nëse dikur krenoheshim me Flamurtarin, që sfidonte Barcelonën, sot kemi Vllazninë për femra, e cila përballet me Real Madridin. Më bukur nuk mund të ketë. Faleminderit vajza kuqeblu, faleminderit Lazër Matija që shkrive pasurinë e familjes tënde për të na bërë krenarë të gjithëve, shkodranë e shqiptarë së bashku!