Nga Klaudio NDRECA
Gjithmonë thuhet: “Askush nuk do t’ia di se kush ke qenë, por se kush je”. Për fatin e mirë për gjithë futbollin shqiptar në tërësi dhe shkodranët në veçanti, Vllaznia është kthyer. Dikur një emblemë e madhe e futbollit shqiptar, ndërsa në vitet e fundit duke lënguar dhe duke luftuar me skuadrat që gjendeshin në vendet e fundit të renditjes.
Pra qartësisht e kuptueshme se me emblemë dhe fanellë, pa asgjë tjetër, nuk mund të fitosh në fushën e lojës. Menjëherë pas ardhjes së një sigurie financiare në skuadër(Alban Xhaferi), situata ndryshoi si me “shkop magjik”.
Një grup i strukturuar pune dhe njëkohësisht pa marrë shumë “yje” të futbollit shqiptar, por duke i premtuar skuadrës se nuk do të mbërrihej në skenat e turpshme që shfaqeshin gjithmonë për pikën ku ishte katandisur Vllaznia pasi nuk merreshin rrogat.
Pra aspak për faj të lojtarëve, ndërsa kjo garanci i jep atyre gjithë qetësinë që të shfaqin më të mirën e tyre në fushën e lojës. Sigurisht që sporti mbetet një pasion që i fal shumë kënaqësi njerëzve, por nga ana tjetër janë edhe shumë familjarë futbollistësh që presin të mbahen me bukë nga rroga e fundit të muajit.
Fatmirësisht te Vllaznia ka një tjetër uri në këto kohë, për fitore dhe pse jo…trofe! Askush nuk e ka pranuar dhe askush nuk do ta pranojë këtë objektiv të largët te shkodranët pasi vetëm sa rrit presionin dhe ndikon më keq te ekipi që në vitin e parë pas ndryshimit.
Megjithatë duke parë ecurinë dhe gjendjen e skuadrës, vendi i parë mund t’i përkas Vllaznisë deri në fundin e këtij kampionati. Njëherë Dilaver, njëherë Dunga, më pas Marku dhe Imami që kthehet në hero.
Pra nuk kemi një yll nga i cili varet fati i kësaj skuadre, por një grup me uri të madhe dhe financa të garantuara, që do të përdorë edhe historinë e madhe si një armë plus, pa harruar ambientin sportdashës shkodran. Tanimë nuk do të thuhet më: “Ishte dikur Vllaznia”, por “Ishin dhe janë…Vllazni”!