Paraditen e sotme, ashtu siç kishim paralajmëruar, është bërë prezantimi i blerjes së parë të ekipit të Vllaznisë në basketboll për meshkuj, pikërisht i lojtarit Julian Hamati. Lojtari kishte mbërritur që pasditen e djeshme në Shkodër ku kishte mbyllur çdo gjë i takon kontratës me presidentin Dibra, ndërsa paradreken e sotme është prezantuar para mediave nga inspektori i klubit Astrit Zaganjori dhe trajneri Bledar Gjeçaj. Vetë Hamati nuk ka dashur të flasë shumë në këtë prezantim të parë si basketbollist i Vllaznisë por është mjaftuar me dy fjalë duke thënë:

“Erdha tek Vllaznia prej emrit të kësaj skuadre dhe tifozëve të mrekullueshëm që ka. Trofeun e fundit me Kamzën e kam fituar pikërisht një vit më parë në Shkodër dhe shpresoj shumë që të vazhdoj të fitoj trofe të tjera por këtë herë me Vllazninë”. Ndërkohë ka folur edhe trajneri Gjeçaj që në lidhje me këtë afrim ka thënë: “Më vjen mirë që pas atij momenti të vështirë që kaluam, drejtuesit e shoqatës tashmë kanë filluar lëvizjet në merkato. Të kushtëzuar edhe nga largimi i Faslijës, e kishim të nevojshme të plotësonim skuadrën me ndonjë lojtar tjetër sepse në skuadër kishin mbetur pak lojtarë. Madje, në Vlorë në ndeshjen e fundit kemi qenë vetëm me 8 sportistë. Ardhja e Hamatit nuk ka qenë vetëm dëshirë e jona por edhe e vetë lojtarit, madje që në verë. Ne kishim nevojë për një lojtar të tillë i cili shënon shumë pikë dhe po ashtu, dallohet edhe në numrin e madh të topave që zotëron në tabelë. Në këtë pikë kemi qenë disi prapa në krahasim me Tiranën dhe Teutën me të cilat do matemi në vazhdim dhe ardhja e Julit, besoj se do të na rregullojë jo pak në këtë drejtim. Pa harruar faktin se presim edhe lojtarë të tjerë të bashkohen me skuadrën në muajin e ardhshëm”. Të paktën nga sa thuhet, drejtuesit e Vllaznisë kanë ndër mend të sjellin në skuadër edhe tre lojtarë cilësorë në janar në mënyrë që të kërkojnë titullin e katërt kampion rradhazi.

© shkodrasport.com