Ashtu siç pritej, drejtuesit e shoqatës së basketbollit të Vllaznisë kanë nisur të lëvizin në merkato. Mbrëmjen e sotme ata kanë arritur akordin me basketbollin e Kamza Basket Julian Hamati. Ky i fundit ka qenë një nga pikat më të forta të këtij ekipi në dy sezonet e fundit dhe me shumë siguri do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Vllazninë. Lajmin për arritjen e akordit me këtë basketbollist, e ka bërë të ditur për SHKODRA SPORT inspektori i lojërave me dorë në klubin Vllaznia dhe njëkohësisht ish- basketbollisti i njohur Astrit Zaganjori. Sipas tij, paraditen e nesërme do të bëhet edhe prezantimi zyrtar me fanellën kuqeblu. Natyrisht që një lëvizje e tillë është një shpresë për ndryshimin e situatës tek ekipi shkodran. Madje, në muajin janar nuk përjashtohet mundësia që të ketë të tjera blerje nga ana e drejtuesve të shoqatës. Megjithatë e rëndësishme është që tek Vllaznia tashmë kanë nisur lajmet e mira. Largimi i Faslijës për tek Teuta pak ditë më parë krijoi përshtypjen se mund të kishte edhe të tjera largime por nuk do të ndodhë kështu. Ardhja e Hamatit është hapi i parë pozitiv i hedhur.

© shkodrasport.com