Që nga mesdita e sotme në Shkodër ka nisur shitja e biletave për ndeshjen Vllaznia- Luftëtari. Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të klubit dhe tashmë çdokush që ka dëshirë të jetë prezent në “Loro Boriçi” ditën e shtunë, mund të paiset me biletën përkatëse. Ajo që konstatohet lehtësisht gjatë këtyre ditëve në kryeqendrën e Veriut, është se për takimin e rradhës ndaj gjirokastritëve ka më shumë interes nga tifozët shkodranë.
Rezultate pozitive të skuadrës së tyre, i kanë bërë ata të besojnë se Vllaznia duhet mbështetur. Përpos kësaj edhe ndryshimi i orarit nga 17.00 kur janë zhvilluar ndeshjet e fundit në 14.00 kur do luhet ndaj Luftëtarit, konsiderohet i favorshëm sepse në darkë temperaturat janë më të ulëta dhe kjo i pengon tifozët të jenë në stadium. Lajmin se këtë herë do të ketë më shumë tifozë, e konfirmon më së miri fakti që vetëm grupimi “Vllaznit Ultras” ka porositur 200 bileta. Përpos këtij grupimi, edhe të tjerë kanë shprehur dëshirën ta mbështesin skuadrën këtë herë dhe një fitore në këtë takim do ishte një ogur i mirë para ndeshjes tjetër që do të luhet në “Loro Boriçi” ndaj Tiranës e cila pritet me një interes të madh nga tifozët shkodranë.
© shkodrasport.com