Nga Xhevdet ZEKAJ

Skerdi Bejzade është një emër i njohur i futbollit shqiptar. Ish-sulmuesi i shquar i disa skuadrave shqiptare, i shpallur edhe kampion, ka lënë gjurmë të pashlyeshme gjithkund ku ka luajtur. Prej disa vitesh ai është zhvendosur në Gjermani, bashkë me familjen, ku nuk i është ndarë sportit magjik të top-këmbës.

Sigurisht, jo më duke luajtur vetë dhe shënuar gola, sepse vitet kanë kaluar dhe bërë të vetën, por duke trajnuar në fushën e blertë. Fillimisht të rinjtë e Arminia Hannover, pastaj ekipin e parë të të njëjtit klub gjerman. Kjo eskepriencë gjermane ishte paraprirë nga përvojat shqiptare në stolin e Partizanit dhe dy herë të Kamzës.

Një rikthim i “Arushës” në futbollin shqiptar, si për të thënë se “guri i rëndë peshon në vendin e vet”. Ka qenë presidenti Pashk Laska, i cili i ka besuar atij një skuadër me lojtarë të rinj, por mjaft të uritur për të treguar veten, për të dëshmuar veten në Superiore, për të bërë hapin e madh të karrierës. Bejzade është treguar i guximshëm, në emër të dashurisë për futbollin, duke marrë përsipër drejtimin e Laçit, sepse është një skuadër që në dekadën e fundit ka fituar edhe trofe, ka luajtur pothuajse rregullisht në Kupat e Europës.

Pra, ambiciet e bardhezinjve janë mjaft kërkuese. Starti ishte mjaft pozitiv për Bejzaden në stolin kurbinas, edhe pse kishte vetëm pak ditë në atë rol, sepse e “bëri me zemër” ekipin kampion, Partizanin. Vetëm ai gol në kohën shtesë e bëri diferencën e këtij ballafaqimi të luftuar, teksa për 90 minutat e kohës së rregullt rezultati mbeti i bardhë. Me siguri, Bejzade ka gjithcka për të qenë i suksesshëm në këtë detyrë të re, më së pari duke qenë vetë një shembull për t’u ndjekur nga futbollistët e rinj.

Ndershmëria, këmbëngulja, rrezatimi i një futbollisti elitar shqiptar në kohën e tij, janë vetëm disa kredenciale të trajnerit të ri të Lacit, si “themel” për të bërë gjëra pozitive dhe rezultative. Ne i urojmë shumë suksese “Arushës”, në stolin e Lacit, ku me siguri do të ketë mbështetjen e pakursyer të presidentit Laska, tashmë “strateg” mes presidentëve të klubeve të Superiores.