Nga Alfrida Marku

Prishja e stadiumit, “Bashkia Lezhë do të shkatërrojë pronën publike por i hap rrugë abuzimit edhe nëpërmjet “parkingut publik me pagesë”.
Të nderuar banorë të Lezhës!

Të dashur miq!

Stadiumi “Beslidhja” i Lezhës rrezikon të kthehet në hapësirë parkingu duke mbuluar me beton 22 000 m2 sipërfaqe në zemër të qytetit Bashkia Lezhë jo vetëm do të shkatërrojë pronën publike por i hap rrugë abuzimit edhe nëpërmjet “parkingut publik me pagesë”.

Ky projekt do t’i propozohet Këshillit të Bashkisë për miratim, pa u konsultuar me banorët apo grupe të interesit, pasi cilido e do Lezhën, do ishte kundër shndërrimit të Stadiumit në sipërfaqe betoni.

I ndërtuar prej vitit 1930, Stadiumi “Beslidhja” është dëshmi e kulturës e qytetarisë lezhjane. Me një kapacitet prej 5 mijë shikuesish, me sipërfaqe totale afër 22 000 m2, kjo hapësirë e përbashkët në qendër të Lezhës mund dhe duhet të rikonstruktohet me qëllim përmirësimin e kushteve por në asnjë mënyrë ti ndryshohet destinacioni.

E aq më tepër, në shërbim të planeve të errëta abuzive të Rilindjes, që e kanë kthyer Lezhën në plaçkë lufte, por me një makineri propagande pas.

PO! Lezhës i duhen hapësira të gjelbërta! Parqe për fëmijë e të moshuar! Fusha të hapura sportive të disiplinave të ndryshme! Sistem tjetër i transportit publik! Lezhës i duhen edhe hapësira nëntokësore parkimi! Shërbimet publike duhen ridimensionuar në një hap me kohën, gjithmonë.

Por ndërsa koha kërkon urgjent gjelbërim dhe vetëm gjelbërim, Lezhës sot po i ofrohet betonizim dhe abuzim. E gjithë kjo, në përmbushje edhe të qëllimit të Edi Ramës dhe Rilindjes për të shkatërruar historinë e qyteteve.

Bashkia mundet të përdorë apo vërë në dispozicion të “planit të parkingut publik me pagesë” për Njesinë Administrative të Lezhës sipërfaqe të tjera në pronësi të vetë Bashkisë apo pronë private duke dëmshpërblyer pronarët.

Qyteti i Lezhës duhet zgjeruar, larg tendencës për të përqëndruar shërbimet në një qendër të vetme.

U bëj thirrje anëtarëve të Këshillit bashkiak, mbi të gjitha se janë të emëruar e jo të zgjedhur, për pasojë nuk kanë tagër përfaqësimi, të votojnë kundër projekt-buxhetit të Bashkisë Lezhë, në të cilin fshihet projekti i shkatërrimit të Stadiumit, betonizimi i qytetit dhe abuzimi me pronën publike.

Të nderuar banorë të Lezhës!

Të bëhemi të gjithë bashkë, të reagojmë dhe ndalojmë projektin më abuziv që rrezikon qytetin tonë.

Të reagojmë të gjithë, pa asnjë dallim, pasi është kontributi për të ardhmen e Lezhës që duhet të na bashkojë