Humbja 2-1 përballë Japonisë duket se ka zbehur pak entuziazmin në kampin e Gjermanisë që shihej si një prej skuadrave me pretendime në këtë edicion të Kupës së Botës. Ekipi i Hansi Flik u tregua i brishtë në pjesën e dytë përballë aziatikëve dhe kritikat nuk kanë munguar pas asaj disfate.

Megjithatë, mesfushori ofensiv i Gjermanisë, Julian Brandt, mendon se duhet të ketë pak më shumë optimizëm, nga futbollistët brenda, por edhe nga ambienti që rrethon ekipin.

“Ne duhet të largohemi pak nga fakti që flasim gjithmonë se jemi në një situatë m***”, tha ai në konferencën e sotme për shtyp. “Spanja mund të vijë pas një fitoreje 7-0, por kjo ndeshja me ta do të jetë gjithashtu një mundësi për ne që të ndryshojmë pak atmosferën këtë të diel. Të gjitha ndeshjet janë shumë afër dhe mund ta përdorim këtë fakt për të çliruar pak energji”.

Spanja në nëntorin e vitit 2020 i ka shkaktuar një humbje turpëruese 6-0 Gjermanisë, por Brandt, i cili ishte në stol në atë sfidë, i sheh situatat krejtësisht ndryshe. “Nuk mendoj se rezultati 6-0 është i rëndësishëm. Tani jemi në një situatë të ndryshme dhe kemi bërë progres në shumë pjesë të lojës tonë.

Në Europian, një vit më parë, ne u mundëm në ndeshjen e parë ndaj Francës dhe pastaj mundëm Portugalinë. Ia dolëm të kualifikoheshim në fazën me eliminim direkt, lojtarët tanë e njohin këtë lloj situate. Tani gjithçka fillon nga e para me shanset që kemi”, tha ai.