Veleçiku po zhvillon një ecuri shumë pozitive në Kategorinë e Dytë, teksa në tetë ndeshjet e fundit ka marrë 8 fitore rradhazi. Ditën e sotme, koplikasit do të kenë një ndeshje shumë të vështirë ndaj Orikut të vendit të parë, në impiantin e Vëllezërve Duli në Koplik.
Në një intervistë për “Shkodra Sport”, trajneri i Veleçikut foli për këtë pragndeshje, teksa u shpreh i kënaqur, jo vetëm me fitoret, por edhe me ecurinë pozitive të zhvilluar nga skuadra e itj, duke synuar kështu ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Ndeshjen ndaj Orikut, Lika e cilësoi si ndeshjen e sezonit, teksa shtoi se futbollistët e tij janë me moral të lartë nga ecuria tepër e mirë në 8 ndeshjet e fundit.
“Padyshim, kjo ndeshje ndaj Orikut është ndeshja e sezonit për ne, nëse duam të arrijmë objektivat tona. Kemi disavantazh golat e pësuar në ndeshje direkte dhe avantazh se vijmë me moralin lart nga ecuria e mirë. Ndeshja në fushën tonë ndaj Orikut dhe tifozët, që besoj do të jenë të shumtë për të na ndjekur.
Sigurisht që, jam i kënaqur, por më shumë më kënaq fakti që ekipi nuk kaloi asnjëherë në eufori dhe fitoret i kishim detyrim, në bazë të ekipit, që kemi formuar.
Kjo ndeshje ndaj Orikut, është një ndeshje që ndan shumë gjëra, pavarësisht se mbrapa janë edhe dy ndeshje të tjera. Kjo me Orikun do jetë vendimtare për ecurinë.
Mezi po pres për fitoren e 9-të rradhazi. Besoj që me ndihmën e Zotit do ia dalim. Këto janë ndeshjet, që më shijojnë më shumë, sepse përmbajnë përgjegjësi të madhe dhe emocione të papërshkrueshme.
Lojtarët e mi e dijnë shumë mirë rëndësinë, që ka ndeshja ndaj Orikut. Thjesht, unë do përpiqem t’i liroj emocionalisht, në mënyrë që të marr maksimunin nga kapaciteti i tyre. Sot duhet pak fjalë dhe shumë vepra”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Veleçikut, Haris Lika
Maringlen ZHIVANI