Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, ka qenë i fokusuar tek ana taktike në seancat e fundit stërvitore dhe kështu tekniku i shkodranëve ka fiksuar edhe formacionin, që do të sfidojë rumunët e Universitateas së Kraiovës të enjten në stadiumin “Loro Boriçi”. Në seancën e fundit, trajneri Josa ka përzier disi kartat, duke kërkuar të zbulojë sa më pak të jetë e mundur titullarët.

Megjithatë, nga ajo që ka lënë të kuptohet përmes stërvitjeve, trajneri Josa do t’u besojë futbollistëve më në formë për momentin, edhe pse ka pasur disa lëvizje në merkato. Aktualisht, dy prej futbollistëve të afruar në merkaton e verës, që duken të jenë pjesë e formacionit, janë qendërmbrojtësi Marko Juriç dhe mesfushori kosovar Lorik Boshnjaku.

Me Zogoviç të sigurtë në portë, edhe katërshja e mbrojtjes nuk ka dilema. Në krahun e djathtë, do jetë kapiteni Gurishta, ndërsa në të majtë Hakaj. Në qendër do të luajnë Juriç dhe Bulatoviç. Në mesfushën me dy futbollistë para mbrojtjes, pjesë e formacionit duken se do të jenë Boshnjaku dhe Jonuzi.

Sa i përket fazës ofensive, në majë do të jetë Aralica, ndërsa nga krahët titullarë shikohen Kruja dhe Çoba. Pas sulmuesit kroat, mund të jetë Vulaj në skemën 4-2-3-1. Ndërkohë, Liridon Latifi pritet që ta nisë nga stoli, teksa ka shumë gjasa të luajë në pjesën e dytë.
Maringlen ZHIVANI