Vllaznia do të ketë një premio të majme në rast kualifikimi. Kështu, siç është folur edhe në ditët e fundit, në klubin shkodran bëhet fjalë për një shpërblim prej 50-mijë eurosh, në rast se Vllaznia arrin të kalojë në turin e tretë të Conference League, pas dy ndeshjeve që do të zhvillojë kundër Universitateas së Kraiovës.

Shifra e premios u është bërë e ditur edhe futbollistëve së fundmi. Këtë edicion, Vllaznia pati shansin e madh që ta niste përfaqësimin në Europë nga turi i dytë i Conference League, jo nga i pari siç ndodhi me Partizanin dhe Laçin.

Ky ndryshim u bë nga UEFA për të favorizuar skuadrat që kishin fituar trofe dhe duke qenë se Vllaznia e mbylli sezonin me Kupën e Shqipërisë, e nisi rrugëtimin nga turi i dytë, jo nga i pari siç në ndodhi në edicionin e kaluar, ku kundërshtar kishte Shiroki Brijeg.

Klubi shkodran ka 450-mijë euro të sigurta përfitim nga UEFA edhe nëse eleminohet ndaj rumunëve. Ndërkohë, si kurrë më parë, Vllaznia është grumbulluar për ndeshjen që katër ditë para në një resort jashtë qytetit. Kjo i ka dhënë më shumë qetësi ekipit të trajnerit Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI