Orges Shehi me Tiranën e tij kërkon revansh ndaj Vllaznisë. Nëntë ndeshje nga humbja me shkodranët, tani Tirana kërkon të fitojë ndaj Vllaznisë. Trajneri i bardhebluve në një intervistë për “Panorama Sport”, para sfidës me kuqeblutë, thotë se kërkon që Tirana e tij ta mbyllë me fitore dhe të konsolidojë vendin e parë. Pranon se në takimin e parë, ekipi i tij u godit nga dy episode, por sërish ia doli të luante mirë. Në fund, dy fjalë edhe për Botërorin, i cili meqenëse zhvillohet në dimër nuk i jep atë ndjesinë e ndeshjeve tradicionale të verës.

Shehi ka te Tirana gati dy vite. Me bardheblutë ka 77 takime, ndërsa në Superiore, 67, duke grumbulluar 132 pikë, 39 fitore, 15 barazime dhe 13 humbje. Golavarazhi i Tiranës është 110:50, me mesatarisht 1.97 pikë për ndeshje.


Tirana përballet me Vllazninë, një kundërshtar që ju ka mundur në fazën e parë. Çfarë do të ndodhë në sfidën e dytë?

Vllaznia është një kundërshtar i afërt me ne. Është një nga rivalët që kemi veçuar që në fillim, për nga mënyra se si është ndërtuar dhe nga fanella, historia. Shkurt, është një kundërshtar gjithmonë konkurrent, jo vetëm këtë vit, por gjithmonë. Në fazën e parë mori maksimumin nga ajo ndeshje, por besoj që ne e interpretuam mirë sfidën dhe mund të merrnim diçka më shumë, por është histori e kaluar.

Është një nga pengjet tuaja nga faza e parë?

Unë e thashë edhe më parë. Për atë që prodhuam në fushën e lojës, mund të kishim marrë më shumë. Ama ndeshja ka pasur shumë episode. Ka pasur ndëshkim të dyfishtë. Ka pasur penallti dhe karton të kuq. Pastaj ekipi edhe për disavantazhin e dy golave, por edhe në disavantazhin numerik ka bërë më të mirën. Fundja fundit është ndeshje e shkuar. Këtë herë do të jetë tjetër histori.


Si e keni parë skuadrën tani që është në vendin e parë?

Unë mendoj se klasifikimi nuk duhet që të na fusë mendimet që kemi bërë mirë dhe jemi në vendin e parë ose jemi keq dhe ta shohim çdo gjë nga klasifikimi. Renditja është mbledhje pikësh, ne duam sa më shumë pikë në çdo ndeshje. Klasifikimi është grumbullim dhe marrje pikësh nga vetja e kundërshtari dhe ne duhet të shohim të marrim pikë në çdo ndeshje ku luajmë. Në vendin e parë ku jemi apo të tjerët. Duke qenë të përqendruar te ndeshja që vlen, më pas çdo gjë bëhet e lehtë në fund të sezonit, ku mblidhen pikët.

I takon Tiranës që ta mbyllë me fitore këtë kampionat?

Duke pasur parasysh që kampionati ndalet pa u mbyllur dy fazat. Është takimi i fundit, por edhe pse rifillojmë me Vllazninë në Superkupë nga ajo ndeshje do relativisht një muaj. Kërkojmë të bëjmë maksimumin. Edhe për atë që thashë pak më parë, për të marrë pikët. Në çdo ndeshje ne duam të marrim maksimumin. Maksimumi pastaj merret duke dhënë gjithçka në fushë. Kjo është ajo që ne duhet të na udhëheqë. Duhet të japim gjithçka në këtë ndeshje apo situatë që ne jemi.

Vetëm dje e kishit skuadrën të plotë. Ka ndikuar në përgatitjen për Vllazninë?

Ne kemi pasur katër lojtarë në ekipin kombëtar. Sigurisht, përgatitja ka qenë pak e vështirë edhe në aspektin fizik dhe atë taktik. Dihet që lojtarët, të cilët grumbullohen me Kombëtaren, ciklin javor e kanë ndryshe nga stërvitja në klub. Dhe duke parë që disa lojtarë kanë marrë pak minuta dhe disa të tjerë më shumë apo puna që është bërë ditën para ndeshjes. Edhe në aspektin taktik ne ndryshuam stërvitjen që të mos humbnim një stërvitje pa ata. U zhvendosëm në mbrëmje, sepse lojtarët u kthyen vonë dhe mund të qetësoheshin, por realisht kemi tri ditë në dispozicion për ta përgatitur takimin. Ama situata është e njëjtë si për ne dhe kundërshtarin se edhe ata ishin në të njëjtën situatë.


Pa ju pyetur me cilën kombëtare jeni tifoz, cila skuadër do ta fitojë Botërorin?

Me thënë të vërtetën, këtë Botëror nuk ka fare atmosferë botërori. Të paktën siç e përjetoj unë. Botërori është luajtur në qershor dhe ka pasur atmosferë. Vetëm kur të luhet do ta shohim. Evenimenti bëhet një herë në katër vite dhe ka adrenalinën dhe kënaqësinë e vet, por nuk jam specifikisht tifoz me ndonjë skuadër. Nuk e di kush fiton. Një nga superfuqitë besoj, Brazili, Argjentina, Gjermania, Franca. Them se një nga këto skuadra e merr kupën.