Mbyllet pa fitues miqësorja Shqipëri-Gjeorgji. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje me ritëm të mirë në “Air Albania”, krijuan disa raste të rrezikshme, por goli nuk erdhi përballë një kundërshtari të fortë në prapavijë, që regjistroi rezultatin e pestë radhazi pozitiv.

Edi Reja bëri gjashtë ndryshime në formacion krahasuar me Spanjën. Rey Manaj përkrah Armando Brojës në sulm, sfida e parë si titullar për Kristjan Asllanin, teksa e nisën nga minuta e parë Thomas Strakosha, Ylber Ramadani, Odise Roshi dhe Endri Çekiçi.

Ky i fundit pati mundësinë më të mirë në minutën e 38-të. Asist perfekt Berta Gjimshitit, mesfushori i Konyaspor shmangu bukur një mbrojtës kundërshtar, por gjuajtja pati potence dhe jo saktësi.

Më parë tentuan edhe Broja, Asllani dhe Roshi për ekipin tonë. Reja la Brojën në dhomat e zhveshjes në pushim dhe në fushë zbriti Sokol Cikalleshi. Minuta edhe për Giacomo Vrionin, por dy sulmuesit e future si zëvendësues nuk ia dolën të kthejnë në gola shanset e tyre.

Në fund provoi edhe Asllani, por grushtoi portieri Mamardashvili. Ekipi mik provoi reflekset e Strakoshës me një gjuajtje potente të Kvekveskiri (72’). Shqipëria tentoi golin në minutat e mbetura, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe takimi përfundoi në barazim 0-0.