Vetëm pak minuta më parë, trajneri Edlir Tetova ka njoftuar se do të largohet nga Egnatia në fund të sezonit. Ndër të tjera, 43-vjeçari ka folur edhe për pasuesin e tij në stolin e rrogozhinasve.
Gjithashtu, në prag të largimit, Tetova ka bërë edhe një premtim të madh. “Timonieri” i dy herë kampionëve të Superiores, është shprehur se edhe këtë sezon do të luftohet fort për titullin.
“Pasardhësi im? Presidenti i zgjuar për zgjedhjen. Sigurisht vit pas viti, duke parë edhe ecurinë e ekipit tonë jemi munduar të bëjmë më mirë si në dalje dhe si në prurje. Kemi fituar 5 trofe dhe kemi qenë absolutë në çdo finale të mundshme. Pasardhësi juaj? Jo nuk kam folur për këtë. Është shumë shpejt. Të dalim pak nga kjo gjendje që jemi.
Në rolin e trajnerit dhe ashtu si e sheh presidenti futbollin, besoj se do të bëjë një zgjedhje të zgjuar. Final Four? Për nga ajo që Tetova që mendon për futbollin, është pjesa e mosdorëzimit. Në Final Four do të kërkoj maksimumin për të fituar titullin”, tha ai ndër të tjera.


