Zelimkhan Abakarov, në muajin shtator bëri krenarë të gjithë shqiptarët, teksa u shpall kampion bote në mundje, në mes të Beogradit. Megjithatë mundësi çeçen, që përfaqëson Shqipërinë, ende nuk ka marrë lekët e medaljes nga shteti.

Kjo është bërë e ditur nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizeri, në emisionin “SportZone” në MCN TV. Sipas këtij të fundit, përgjigjja e Ministrisë për mungesën e fondit, është për shkak të buxhetit.

Jam i lumtur për arritjet e mundjes. Është një bast i fituar ndaj skeptikëve. Nuk është hera e parë që mundja jep rezultatet. Kemi pasur medalje, por Shqipëria nuk ka pasur një kampion bote dhe jam krenar që ndodhi me Abakarov në Beograd. Shembull i mirë për brezat dhe për sportin.

Ne kemi shkruar historinë, Shqipëria për herë të parë ka një kampion bote dhe ky është Abakarov. Për mua dhe sportin, është një krenari. Përveç se më mbush me dëshirë, por më jep një kënaqësi. Lojërat Olimpike janë afër dhe synojmë medaljen olimpike. Vëmendja është në “Paris 2024”. Tani i mbetet shtetit, për të bërë të mundur, rrugëtimin për në Olimpiadë.

Miqësitë e mia me Çeçeninë janë të mëdha dhe arrita të bindja djemtë për të ardhur këtu. U bë një punë e madhe për t’i marrë këtu. Djemtë nuk hezituan ta pranojnë këtë mundësi, e kanë justifikuar.

Shteti duhet të marrë masa dhe të japë fonde të nevojshme. Me fondin e këtij viti, është e dështuar. Lekët e medaljes nuk i ka marrë ende. Ministria i justifikon për mungesë buxheti. Abakarov është shpallur kampion në mes të shtatorit dhe nuk ka marrë ende lekët e medaljes. Duhet të bëhet diçka në këtë sens. Shpresoj shumë që viti që vjen, të mos jetë si ky vit. Ishte shumë i vështirë për ne.

Unë jam i lumtur që djemtë janë të përulur dhe nuk janë grindavecë. Ne jemi këtu ku jemi dhe nuk trajtohemi si duhet, kjo me vret mua”.