Skuadra dhe drejtuesit e Partizanit po presin me padurim mbylljen e kontratës së trajnerit Shpëtim Duro me Vllazninë. Kjo ngaqë ata duan ta marrin për vete. Bisedimet thuhet se kanë kohë që kanë nisur dhe ajo që pengon është vetëm mbyllja e kontratës që trajneri ka në Shkodër. Por Duro nuk ka ndër mend të largohet vetë nga kuqeblutë. Ai pret vetëm që ta shkarkojnë dhe nga kjo të marrë dëmshpërblimin për kontratën e prishur nga ana e klubit. Ai në fakt edhe vetë nuk ka dëshirë më të qëndrojë tek Vllaznia. Humori i është prishur dhe kjo nuk është e vështirë të dallohet.

Nga ana tjetër, edhe ai duket se mendjen e ka tek Partizani. Fotoja e mëposhtme, e tregon më së miri këtë dëshirë të tij. Duro ka qenë i ftuar në festën që klubi Partizani ka organizuar me rastin e festave të fundvitit. Në foto, është presidenti aktual Lulëzim Dallaku, drejtori teknik Hasan Lika, drejtori i Akademisë Genc Tomori dhe pjestari i stafit teknik Perlat Musta. I vetmi pa funksion ndër to është Shpëtim Duro që duket se është “trajneri- hije” i kësaj skuadre. Megjithatë kjo nuk mund të thuhet ende. Ditët e para të janarit mund të konfirmojnë shkarkimin e tij nga Vllaznia dhe më pas, mund të nisë punë tek Partizani.
www.shkodrasport.com