Ekipi i basketbollit të femrave të Vllaznisë, ka arritur dje një fitore me shumë vlera në ndeshjen e javës së 10-të të kampionatit. Ai ka mundur në Elbasan skuadrën vendase me rezultatin 91 me 81. Vajzat shkodrane e kanë udhëhequr ndeshjen që nga sekondat e para të saj dhe deri në fund. Vllaznia ka bërë një lojë të kujdesshme në këtë ndeshje. Ka fituar periodën e parë 23 me 21 dhe këtë epërsi nuk ka arritur në fakt ta ruajë në periodën e dytë e cila është fituar nga Elbasani në shifrat 25 me 14. Megjithatë gjërat kanë marrë rrjedhë tjetër në periodën e tretë. Vllaznia luan më mirë, fiton 25 me 14 dhe e kthen rezultatin në favor të saj. Përcaktuese për skuadrën fituese të kësaj ndeshje, do të ishte perioda e katërt dhe e fundit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Rajmond Rasha ka luajtur më mirë dhe e ka fituar atë me rezultatin 29 me 21. Në këtë mënyrë, me rezultatin e përgjithshëm 91 me 81, Vllaznia ka arritur të fitojë këtë ndeshje dhe të marrë dy pikë të tjera, me të cilat ajo ka shkuar në kuotën e 14 pikëve pas 10 ndeshjeve të luajtura. Me këtë sasi pikësh, ajo ndodhet në vendin e pestë në renditje dhe duket se deri në fund të kampionatit do të jetë në garë me ekipin Kamza Basket për të hyrë në katërshen e ekipeve më të mira, ato të cilat do të diskutojnë fazën e plej- ofit. Çdo gjë është mëse e arritshme sepse diferenca mes këtyre ekipeve është vetëm dy pikë. Në krahasim me një sezon më parë, Vllaznia po bën një paraqitje më të mirë në kampionat, duke qenë dinjitoze në të gjitha ndeshjet pavarësisht se nga rradhët e saj janë larguar dy basketbolliste cilësore siç janë Sokoli dhe Xhanaj.
www.shkodrasport.com