Topi do të vendoset në qendër të fushës. Pas 74 ditësh do të heqë maskën e frikës nga Koronavirusi dhe do të nisë të rrotullohet dhe shqelmohet në fushat e blerta të Shqipërisë për të rinisur Kategorinë Superiore në javën e 27-të të saj. Gjithçka u ndal në 9 marsin e këtij viti me ndeshjen Skënderbeu-Kukësi kur “COVID-19” u fut në vendin tonë dhe paralizoi jo vetëm sportin, por thuajse të gjitha fushat e jetës.

Por tani duket se këtë betejë e kemi fituar, ose të paktën kemi mësuar të bashkëjetojmë me të. Mes të panjohurës, mes dëshirës për të luajtur, mes pasigurisë për të ardhmen, por me bindjen që futbolli do të shërojë një pjesë të shoqërisë, do të rikthehet sot në Ballsh (Bylis-Tirana, ende e pasigurt ndeshja për shkak se një lojtar i Bylisit ka rezultuar pozitiv me Koronavirus), Vlorë (Flamurtari-Vllaznia), Elbasan (Kukësi-Luftëtari), Laç (Laçi-Teuta), Tiranë (Partizani-Skënderbeu). E keqja do të shqelmohet. Qëndruam të gjithë në mbrojtje dhe tani duhet të dalim në kundërsulm për ta fituar këtë ndeshje kundër të keqes (Koronavirusit). Por duhet të bëjmë kujdes. Atij nuk i duhet zënë besë.

PA TIFOZË
Duhet të mësohemi të gjithë me një tjetër futboll pas kësaj pandemie. Mes rregullave strikte dhe protokollit të përcaktuar nga institucionet, skuadrat e Kategorisë Superiore do të rinisin rrugëtimin e tyre për të arritur objektivat. Ndryshimi i parë? Nuk do të ketë tifozë të pranishëm në stadium. Jo se më parë tifozët dyndeshin në shkallët e stadiumeve, por tani gjithçka do të jetë bosh. Edhe ata pak tifozë besnikë që nuk e braktisnin kurrë ekipin e tyre, tani duhet ta shikojnë nga televizori.

FUTBOLL MASKASH
Maskat nuk kanë munguar kurrë në futbollin shqiptar. Sidomos në fundin e kampionateve, kur shpeshherë kontestohen vendimet, fajësohen arbitrat, tolerohen ndeshjet apo përfshihen në skandale bastesh. Maska për rroga të papaguara, gjyqe të shumta dhe borxhe të pashlyera. Të gjithë shpresojmë që maskat këtë herë të përdoren vetëm për t’u mbrojtur nga Koronavirusi dhe jo nga të këqijat që ekzistojnë në futbollin shqiptar. Por sot nuk është dita për këtë. Është dita që të gjithë të gëzojmë që rikthehet futbolli, si një hallkë e rëndësishme e jetës dhe e shoqërisë.

5 ZËVENDËSIME
Do të jetë futboll ndryshe për trajnerët, por edhe për lojtarët. Këta të fundit duhet të ndihen të gjithë të rëndësishëm sepse në çdo moment mund të futen në fushën e lojës për të vendosur sfidat. Është risi edhe për trajnerët, të cilët do të kenë në dispozicion pesë zëvendësime dhe duhet që të godasin në shenjë. Do të jetë një futboll strategjik, si një lojë shahu.