Fitorja në transfertën e vështirë përballë Egnatia ka rikthyer optimizmin në kampin e Flamurtarit. Skuadra vlonjate ka marrë një frymëmarrje të rëndësishme në një moment delikat të sezonit, duke rikthyer qetësinë në qytet, por pa e humbur fokusin te objektivi kryesor: mbijetesa në elitën e futbollit shqiptar.
Në Vlorë tashmë ndihet një atmosferë më pozitive, megjithatë askush nuk e konsideron misionin të përfunduar. Përballja e radhës ndaj Dinamos, që do të luhet të hënën e ardhshme, shihet si një tjetër “finale” për kuqezinjtë.
Presidenti Sinan Idrizi ka qenë i qartë në mesazhin e tij: çdo ndeshje e mbetur duhet trajtuar si vendimtare. Edhe pse ka përgëzuar ekipin për suksesin e rëndësishëm në Rrogozhinë, kreu i klubit nuk është aspak i kënaqur me pozicionin aktual në renditje.
Flamurtari vijon të mbajë vendin e fundit me 29 pikë, tre më pak se rivalët direktë si Bylis, Tirana dhe Vora, që ndajnë kuotën e 32 pikëve. Diferencat e vogla e bëjnë edhe më dramatike garën për mbijetesë, e cila me shumë mundësi pritet të vendoset vetëm në javën e fundit.


