Vllaznia “B” ndonëse e kishte arritur që javën e kaluar, ngjitjen në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar, ka dashur ta mbyllë me fitore fazën e dytë të kampionatit. Dhe ia ka dalë ta bëjë një gjë të tillë në ndeshjen e javës së fundit, atë të luajtur pasditen e sotme në Bulqizë ndaj skuadrës vendase teksa ka fituar me rezultatin 4-1.
Takimi ka nisur më mirë për vendasit e Bulqizës që kanë kaluar të parët në avantazh që në minutën e 15-të me anë të futbollistit Farruku. Por avantazhi ka zgjatur pak sepse ka qenë sulmuesi Halili që ka barazuar shifrat dhe më pas kapiteni Enes Papaj që ka kaluar në epërsi shkodranët.
Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 2-1 për Vllaznia “B”. Në të dytën ajo do të shënonte edhe dy gola të tjerë me anë të Allele dhe Bilal dhe përfundimisht 4-1 për të. Në këtë mënyrë ekipi kuqeblu i drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi e mbyll kampionatin e rregullt në vendin e parë në grupin A.
Ajo e ka mbyllur me 44 pikë të grumbulluara, teksa në 16 ndeshjet e luajtura ka arritur të fitojë 14 prej tyre dhe të barazojë 2, ndërkohë që nuk ka pësuar asnjë humbje. Ndërkohë kuqeblutë kanë shënuar 76 gola në këto ndeshje dhe kanë pësuar vetëm 11 duke krijuar kështu profilin e një skuadre shumë solide.
Vllaznia “B” tashmë do të luajë edhe finalen e kategorisë së tretë, me objektivin e qartë për t’u shpallur kampion. Përballë saj në finale do të jetë Albpetroli i Patosit dhe ndeshja do të luhet të premten e ardhshme në orën 15:00 në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


