Nga Maringlen ZHIVANI
Faza play-off e Kategorisë së Dytë është mbyllur me një zhgënjim të madh për Shirokën, që pa t’i ndërpritej rrugëtimi drejt një mundësie historike vetëm nga pika e bardhë. Në sfidën e zhvilluar në “Selman Stërmasi”, gjithçka ishte e balancuar dhe e luftuar deri në minutat e fundit, me të dyja skuadrat që treguan kujdes maksimal për të mos gabuar. Loja u karakterizua nga tensioni dhe rëndësia e rezultatit. Sa i përket kronologjisë së ndeshjes, sfida nisi me ritëm të lartë, ku Shiroka kaloi në avantazh në minutën e 14-të me Ogunbire, ndërsa reagimi i Sopotit erdhi në minutën e 30-të me Ferhatin që vendosi baraspeshën. Pjesa e dytë u karakterizua nga ndërhyrje të shumta dhe tension, me disa kartonë të verdhë dhe zëvendësime të shpeshta, por pa ndryshim rezultati deri në fund, duke bërë që gjithçka të vendosej nga pika e bardhë, aty ku fati dhe saktësia bënë diferencën. Në këtë moment delikat, Sopoti u tregua më i qetë dhe më i saktë, duke fituar 4-2 dhe duke siguruar kualifikimin për në fazën play-out. Për Shirokën mbetet një keqardhje e madhe për një rruge që ndalet prej detajeve në fund, pas një përballjeje ku skuadra dha maksimumin dhe qëndroi në garë deri në fund. Megjithatë, mungesa e saktësisë nga 11-metërshat rezultoi fatale, duke i dhënë fund ëndrrës për të vijuar më tej në luftën për ngjitje. Nga ana tjetër, Sopoti hedh një hap të rëndësishëm dhe tashmë do të përballet me Luftëtari, ekip që e mbylli kampionatin e Kategorisë së Parë në vendin e nëntë. Një duel vendimtar, ku do të përcaktohet se cila skuadër do të sigurojë një vend në kategorinë superiore sezonin e ardhshëm.


