Dinamo, në “ethet” e merkatos. Klubi kryeqytetas duket se do të jetë shumë aktiv në tregun e futbollistëve, diktuar kjo nga rezultatet larg pritmërive në 15 javët e para të Abissnet Superiores.

Pasi arriti marrëveshjen me Sabien Lilajn, ish-mesfushorin e Skënderbeut dhe të përfaqësueses, që vjen nga Prishtina, “Nëndetësja Blu” është shumë pranë firmës me një tjetër futbollist që e njeh shumë mirë futbollin shqiptar: Reginaldon.

31-vjeçari nga Mozambiku ka shkëlqyer në Shqipëri fillimisht me Luftëtarin, më pas me Laçin dhe Kukësin, duke shënuar në total 47 gola në Superiore.

Janë të rrallë sulmuesit e huaj me produktivitet të tillë në futbollit elitar shqiptar. Reginaldo, pasi u largua nga Kukësi u bë pjesë e futbollit të Kazakistanit, por nuk ka mundur të spikasë si në Shqipëri. Te Dinamo besojnë se ky sulmues do të gjejnë golat që u kanë munguar në 15 javët e para të kampionatit.