Çelsi kishte sot një mënyrë simbolike por mjaft origjinale për të shpërblyer tifozët që kishin vendosur të udhëtonin drejt Selanikut për të ndjekur skuadrën në sfidën e Ligës së Europës përballë PAOK.

Pak minuta para fillimit të ndeshjes, shefi ekzekutiv i klubit u ka shpërndarë tifozëve… patatina.

Kjo është hera e parë që Çelsi nuk merr pjesë në Ligën e Kampioneve që nga viti 2013 dhe drejtuesit e klubit menduan që të falënderonin tifozët të cilët kishin treguar besnikëri ndaj klubit duke udhëtuar për të ndjekur këtë ndeshje në “Kupën e vogël”.

Fillimisht, në hyrje të tribunës së miqve në Selanik u vendos një stendë ku mbështetësit e Çelsit merrnin shishe me ujë falas nga klubi anglez.

Por ata u çuditën më shumë kur panë shefin ekzekutiv të klubit, Brus Bak, të shfaqej në tribunë me disa qese të mëdha me patatina, të cilat sigurisht i shpërndante falas.

Edhe pse vlera e tyre ishte simbolike, vetëm 1 euro, tifozët të cilët kishin shpenzuar qindra euro për të udhëtuar drejt Greqisë për të ndjekur skuadrën, kanë falënderuar shefin ekzekutiv i cili kaloi disa minuta mes tyre duke shpërndarë patatina si të ishte një shitës ambulant./vipsport/