Kombëtarja kuqezi është grumbulluar ditën e sotme në Durrës, aty ku do të përgatitet për dy ndeshjet e Europa League ndaj Bjellorusisë më 4 shtator dhe ndaj Lituanisë më 7 shtator.
Për këto ndeshje bie në sy rikthimi pas më shumë se një viti i Armando Sadikut, i cili këtë sezon ka qenë padyshim një nga sulmuesit shqiptarë më në formë, por pandemia e shtyu rikthimin e tij në kombëtare.
Ditën e sotme elbasanasi është shfaqur para medieve, ku ka folur për sfidat e radhës dhe të ardhmen e tij, kur kujtojmë se ai është lojtar i lirë, pas akordit për të ndërprerë kontratën me Levanten.
RIKTHIMI- “Ndihem shumë mirë, kënaqësi të vesh fanellën e kombëtares. Shpresoj ta ndihmoj. Ambienti është i njëjtë, janë disa lojtarë të rinj që nuk i kisha takuar. Kemi një grup të mirë lojtarësh. Jam i bindur që do të marrim maksimumin në këto ndeshje, që me Bjellorusinë. I kemi kualitetet”.
“THATËSIRA” ME KOMBËTAREN- “Goli është si ushqimi për mua. Kur shënoj e kam kryer detyrën. Me kombëtaren do ta provojë këtë ndjenjë çdo futbollist. Do mundohem të shënoj në këto dy ndeshje dhe të ndihmoj ekipin të marr rezultate pozitive”.
BJELLORUSIA- “Duhet ta marrim seriozisht, që nga fillimi. Sot nuk ka skuadra të lehta. Duhet të luajmë fort dhe të marrim tre pikët. Në letër jemi favoritë, por duhet t’i marrim ndeshjet seriozisht nga fillimi. I kemi kualitetet për të zënë vendin e parë”.
KONKURRENCA NË SULM– “Vendos trajneri kush luan. Vij pas një sezoni të mirë, kam bërë 36 ndeshje si asnjëherë tjetër. Më parë jam thirrur nga trajneri, por një herë nuk kam ardhur për arsye familjare dhe një herë për dëmtim. Nëse trajneri më zgjedh, do jap maksimumin”.
SALIHI- “Ai na ndihmon gjithmonë. Nuk kemi folur sepse sot u grumbulluam. Në ditët në vijim ndoshta na tregon ndonjë sekret për t’i shënuar Bjellorusisë”.
E ARDHMJA- “Po i shqyrtoj ofertat. Menaxheri po merret me ofertat. Jam i përqendruar te kombëtarja dhe pas ndeshjeve do të shoh se ku do ta vijoj karrierën në nivel klubesh”. /vipsport/