Saimir Patushi është padyshim një nga ish-futbollistët që ka lënë gjurmë në Shkodër. Ish-mesfushori matjan ishte pjesë e Vllaznisë së artë, duke arritur të fitojë edhe titullin kampion me fanellën kuqeblu. Ai është gjithmonë i gatshëm për të folur dhe komentuar rreth Vllaznisë sa herë i kërkohet.
Kjo pasi ai është një nga ekipet e tij të zemrës dhe padyshim kuptohet që e njeh mirë ambientin në Shkodër. Prandaj, një gjë të tillë nuk ka ngurruar ta bëjë së fundmi edhe në emisionin “Fair Play nga Enkeleida Zeko”, që transmetohet në Syri TV.
“Vllaznia nuk ka nevojë për dyndje të huajsh kur ka Akademinë. Nuk i duhen. Më mirë shkodranët, të marrin më të mirët nga ata të Akademisë. Te Vllaznia janë afruar shumë futbollistë të huaj ndër vite dhe nuk besoj se ndonjëri prej tyre ka dhënë diçka të mirë për kuqeblutë. Presidenti Xhaferi dhe drejtori Osmani duhet të kthejnë sytë nga Akademia. Unë kam qenë pjesë e Vllaznisë, e di se si vuan ai qytet dhe ajo tifozëri për futbollin.
Merkato e janarit? Asnjëherë, merkato e janarit nuk ka sjellur xhevahirë në Superiore. Vllaznia me komoditetin që ka në renditje, është më mirë që t’i japë mundësinë futbollistëve të rinj, si Delaj, Dodaj, Zaganjori apo edhe të marrin sërish Shpuzën që e kishin në provë, se sa të sjellë futbollistë që nuk dihet si dalin. Ky është mendimi im të paktën”,-mbylli prononcimin e tij ish-futbollisti i Vllaznisë, Saimir Patushi./M.P/SHKODRA-SPORT.COM/