Vllaznia në futboll për femra është në prag të realizimit të një ëndrre të madhe. Futbollistet kuqeblu janë më afër se kurrë pranë kualifikimit në grupet e UEFA Women Champions League.

Ekipi shkodran do ta luajë ndeshjen e dytë ndaj Vorskla Kharkiv ditën e nesërme, duke nisur nga ora 16:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Kujtojmë se, ndeshja e parë u mbyll në barazim 1-1, pas 90-minutave shumë të dyluftuara.

Ndërkohë, në pritje të ndeshjes së dytë ndaj ekipit ukrainas të Kharkiv, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, paraditën e sotme ka mbyllur edhe proçeset stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi” për këtë duel tepër të rëndësishëm. Nga sa është parë, atmosfera në kampin kuqeblu është shumë pozitive.

Një avantazh për këtë ndeshje, pritet të jetë edhe riaftësimi i dy futbollisteve, Luçie Gjini dhe Arbenita Curraj, që ishin të dëmtuara dhe munguan në ndeshjen e parë.

Tashmë, futbollistet e Vllazinsë që do jenë në fushën e lojës do mundohen për të treguar vlerat e tyre më të mira në këtë përballje, në mënyrë që të bëjnë kualifikimin historik dhe të realizojnë një ëndërr të madhe, jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por edhe më gjërë.
Maringlen ZHIVANI