Përpos ndeshjes Vllaznia- Maliqi, sot është luajtur edhe takimi tjetër ai në mes Termit dhe Juban Danjes dhe që ka mbyllur javën e parë të fazës së dytë të kampionatit.
Ky takim është luajtur pasditen e sotme në kryeqytet dhe është fituar nga ekipi shkodran me rezultatin 2-1. Ka qenë një përballje me shumë emocione e cila ka njohur fituesin vetëm në minutën e 91-të.
Dhe protagonistja kryesore e këtij suksesi ka qenë mesfushorja Paula Jaku. Ajo ka shënuar golin e parë në minutën e fundit të pjesës së parë të ndeshjes.
Në të dytën, ka qenë futbollistja Nela Vishkulli, edhe kjo ish- futbolliste e Juban Danja por që tashmë është pjesë e Term, e cila ka barazuar shifrat në minutën e 60-të.
Por Paula Jaku sërish do të shënonte dhe do t’i dhuronte tre pikë shumë të vlefshme ekipit të saj duke shënuar golin e fitores në minutën e parë shtesë të ndeshjes.
Përfundimisht 2-1 për “Juban Danja” që me këtë fitore forcon pozitat e saj në vendin e pestë të renditjes, një vend ky përgjithësisht i mirë kur ke parasysh faktin se 80 për qind e ekipit është e përbërë nga vajza me moshë shumë të re.
© shkodrasport.com