Me javën që u luajt ditën e enjte, mund të themi se u vendos një pjesë e madhe e fateve të këtij sezoni. Pa dyshim, ajo që bëri më shumë bujë ishte ndalesa e Tiranës dhe gjithë dinamika e asaj ndeshjeje, teksa Partizani me një fitore komode ndaj Kastriotit, e gjen veten në krye falë avantazhit në ndeshjet direkte. Ledio Pano, ish-mesfushor i Partizanit dhe një nga analistët më në zë në vendin tonë, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, i bën një analizë Partizanit, por edhe situatës aktuale të kampionatit, teksa zgjedh edhe të spikaturit e gjithë këtij sezoni të Superiores.


Mund të themi se çdo gjë është mbyllur pas kësaj jave që sapo u luajt?

Jo, akoma. Është edhe një ndeshje. Janë edhe 90 minuta. Besoj se Partizani është shumë më afër, por duhet thënë se para ka një ndeshje shumë të vështirë, me një Teutë, e cila ka treguar rritje dhe do të luftojë edhe ajo për të marrë një vend në ndeshjet “play off” të Ligës së Konferencës. Partizani nuk do ta ketë të lehtë, pavarësisht se luan në fushën e vet. Pa dyshim, do të japin maksimumin dhe unë do të dëshiroja që ata të ishin kampionët, por duhet të presim edhe 90 minuta.

Mendoni se Tirana do të luftojë deri në fund ndaj Erzenit apo i janë prerë shpresat pas asaj që ndodhi në Rrogozhinë?

Pa dyshim që ana emocionale nuk është e mirë pas atij barazimi ndaj Bylisit, por Tirana është nga ato ekipe, që jep maksimumin dhe lufton deri në fund dhe besoj se do ta bëjë edhe këtë herë. Do të luftojë deri në fund, pavarësisht se edhe Erzeni e ka një ndeshje për të mbajtur vendin e tetë ose edhe për të parakaluar ndoshta edhe Kukësin. Kthehemi te ndeshja mes Partizanit dhe Kastriotit. Rezistenca krutane u duk e zbehtë për shkak të shpresave, që thuajse ishin shuar… Cilësia u duk në fushën e lojës. Kastrioti dha maksimumin në pjesën e parë dhe shënoi. Mund të kishte shënuar edhe në golin e dytë në momentet kur goditi dy herë shtyllën. Por cilësia, sigurisht edhe forca e të dy ekipeve, ka një hendek të konsiderueshëm. Partizani lufton për titullin, ndërsa Kastrioti luante shanset e fundit për të mbijetuar në Kategorinë Superiore. 20 minutat e para ishin të vështira për Partizanin, sepse edhe pësoi gol. Më pas ata shpalosën cilësitë e veta dhe arritën të kthejnë rezultatin.


Kthehemi te ndeshja mes Partizanit dhe Kastriotit. Rezistenca krutane u duk e zbehtë për shkak të shpresave, që thuajse ishin shuar…

Cilësia u duk në fushën e lojës. Kastrioti dha maksimumin në pjesën e parë dhe shënoi. Mund të kishte shënuar edhe në golin e dytë në momentet kur goditi dy herë shtyllën. Por cilësia, sigurisht edhe forca e të dy ekipeve, ka një hendek të kon

Përse nuk e vrau Tirana ndeshjen në Ballsh dhe i la shumë prej elementeve të vendoseshin edhe nga fati?

Përtej faktit që për Partizanin është diçka pozitive që Tirana u ndal, bardheblutë duhet t’i shohin gabimet te vetja e tyre. Kishin një ndeshje në fushën e tyre dhe e luajtën në Rrogozhinë. E mira e Tiranës do të ishte të luante në kryeqytet, ku me shumë mundësi do ta kishte shumë më të lehtë. Por që prandaj futbolli është i paparashikueshëm, sepse aty ku mendon se je i sigurt, aty mund të lësh edhe pikë.

Të gjithë po flasin për penalltinë e dhënë në favor të Bylisit në sfidën ndaj Tiranës. Keni një gjykim rreth atij episodi?

Ka pasur raste që ajo penallti është dhënë, ashtu siç ka pasur raste të tjera që nuk është dhënë. Sigurisht, një kontakt kishte. Por unë më shumë dua të merrem me lëvizjen e mbrojtësit të Tiranës, që është një gabim amatoresk, sepse në ato zona dhe në atë moment nuk ke përse të ndërhysh, të shtysh apo të krijosh kontakt me kundërshtarin. Unë më tepër do t’ia vija fajin lojtarit (Behiratçes). Pastaj, janë specialistët e gjykimit ata që e japin verdiktin nëse ishte apo jo penallti ai episod në atë ndeshje.


Keni një koment në lidhje me atë që ndodhi pas ndeshjes Tirana-Bylis dhe dënimet, megjithëse të pjesshme, që u dhanë nga Disiplina?

Në një situatë të tillë, nuk di çfarë të them. Nuk kam fjalë për atë që ndodhi pas ndeshjes. Ndërkohë, vendimet ishin të pritshme pas asaj që ndodhi.


Cili është përkufizimi juaj për këtë sezon të Partizanit, nga fillimi e deri më tani që i jemi afruar fundit?

Nëse del kampion, të gjitha zerohen, por duhet të ndalemi në shumë gjëra, duke parë të gjithë rrugëtimin nga fillimi deri në fund. Kur del kampion është diçka pozitive dhe çdo gabim që ke bërë mund ta mbrosh me titullin kampion. Por analiza pa diskutim që duhet bërë, sepse ka pasur edhe momente që Partizani ka çeduar, ka qenë 3-4 herë përpara me pikë dhe ka pasur shansin të shkëputet, më pas është gjendur sërish pas me pikë. Janë oshilacione, që të gjithë ekipet mund t’i kenë, por jo kaq të mëdha. Largimi i dy shtyllave të ekipit në muajin janar ndikoi, por e rëndësishme është që Partizani ndodhet në vendin e parë dhe besoj se për momentin çdo gjë mbetet për t’u parë në 90- minutëshin e fundit. E rëndësishme është që të mos çedojnë në ndeshjen e fundit.

Po të tërin si kampionat, si do ta përkufizonit?

Kampionati i sivjetshëm, ndryshe nga kampionatet e viteve të tjera kishte rivalitet. Kishte oshilacione nga të gjitha ekipet. Jo më kot edhe ekipet që bien, kanë arritur të marrin shumë pikë. Po të shohësh Bylisin për shembull, është një skuadër, që ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, me shumë ritëm dhe për mendimin tim nuk e meriton të jetë në këto pozita, të paktën për ndeshjet që ka zhvilluar. Edhe Kastrioti ka bërë ndeshje pozitive, ka lënë pikë me ekipe të mira, por ka lënë pikë në fushën e vet. Luhatjet kanë qenë të mëdha. Të mos harrojmë se Kukësi, nga një ekip që në dekadën e fundit ka qenë në tri vendet e para të kampionatit, në këtë kampionat ka vuajtur. Laçi gjithashtu, që nuk pritej, ka qenë në vështirësi, pavarësisht se në javët e fundit është aty ku është. Teuta po ashtu. Ajo që unë nuk e prisja është Vllaznia. Besoja që do të ishte pak më lart me lojtarët që kishte dhe me cilësitë që ka brenda. Tirana dhe Partizani janë në krye dhe e meritojnë. Besoj se ka qenë një kampionat për t’u parë. Sigurisht që ka të meta, siç gjithmonë në futbollin tonë. Por mund të themi se ishte një kampionat, që na ka shtyrë t’i shohim ndeshjet me rëndësi. Cilësia ka munguar. Nuk ka qenë në nivelet maksimale, por besoj se me ndeshjet që kanë zhvilluar ekipet, mendoj se i meritojnë vendet ku janë.

Si i prisni paraqitjet e skuadrave tona në Europë, në veçanti të Partizanit?

Jo më kot e thashë se pavarësisht se mund të dalin kampionë, është një analizë që duhet bërë. Ndeshjet e Europës kanë një vështirësi tjetër. Nëse do të duan të ecin dhe të kalojnë ture, aq më tepër të shkojnë në grupet e tri kompeticioneve të mëdha, duhet rritur niveli dhe cilësia. Duhet rritur profesionalizmi, dëshira për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Partizani ka një ekip të ri, me djem të ri. Sigurisht që do të doja që të ecte, që të kalonte ture, sepse rritet cilësia dhe të ardhurat në klub. Këto transferohen në marrjen e lojtarëve cilësorë dhe në rritjen cilësore. Kështu që do të doja, që në bazë të analizës, që do të bënte klubi, të nxirrnin edhe gjërat që duhen rregulluar dhe ku do të shkojnë.

A ka një lojtar, që ju ka krijuar më së shumti përshtypje për mirë në gjithë këtë sezon të Superiores?

Janë disa dhe mendoj se Duamena është një vlerë e shtuar për kampionatin. Ka edhe lojtarë të rinj. Mua të paktën më pëlqen Mehmeti i Erzenit. Do të veçoja edhe rritjen e Rrapajt, edhe pse me cilësitë që ka, do të doja të ishte në një shkallë më lart. Besoj se Mba ka treguar rritje cilësore dhe ka ndihmuar shumë në sulmin e Partizanit. Bibo i Laçit është djalë i ri dhe me shumë perspektivë. Edhe Alivoda i Vllaznisë bën pjesë në ato lojtarë, që e kanë jetën fubollistike përpara.


Cila ka qenë për ju skuadra më e bukur e këtij kampionati?

Duke parë ndeshjet e fazës së parë, na pëlqente të gjithëve Erzeni me pikët që mori dhe lojërat që zhvilloi. Është e pakuptueshme që nga vendi i tretë, shkoi në këto pozita ku ndodhet dhe po lufton për mbijetesën. Për këtë mund të them, sepse ekipet e tjera e kanë emrin e tyre në Superiore dhe nuk kanë qenë në nivelin e emrit të tyre, megjithëse ndodhen në pozita të mira.