Racizimi është shndërruar në një nga temat më të “nxehta” këto kohë në Spanjë teksa gjithçka nisi në ndeshjen mes Valencias dhe Real Madrid. Në qendër të abuzimit u vendos Vincius Junior teksa i gjithë stadiumi Mestalla nisi në kor ngacmimet për shkak të ngjyrës në lëkurën e brazilianit.

Masat drastike si pezullimi i ndeshjes munguan dhe kjo thjesht sa nxehu më shumë sulmuesin që u ndëshkua në fund edhe me karton të kuq pasi nuk i përmbajti nervat. Gjithsesi, Vinicius nuk është i vetmi që ka hasur racizëm në Spanjë. Së fundmi, lojtari i Barcelonës Alejandro Balde thekson se edhe ai është paragjykuar për shkak të ngjyrës edhe pse sqaron se atij komentet më së shumti i kanë ardhur në rrugë dhe jo në stadium.

“Mendoj se në momentin që ka thirrje raciste loja duhet të ndalet menjëherë dhe të mos rifillojë sërish. Kështu vendoset një standart që gjeste të tilla të mos përsëriten, duhet marrë një masë drastike pasi përndryshe është e pamundur.

Në botën e futbollit ende nuk kam hasur në probleme me racizimin, por në rrugë po. Si unë ashtu edhe familja ime. E mbaj mend kur isha i vogël dhe doja të luaja në park, fëmijët e tjerë nuk më pranonin.

Thonin se e kishin porosi nga prindërit e tyre që të mos luanin me ata me ngjyrë. Prindërit e mi e kishin të vështirë të gjenin punë, vëllain tim e ndalonin në rrugë dhe pa asnjë arsye i kërkonin mjete identifikimi. Ata të pyesin se çfarë po bën në rrugë dhe të ngacmojnë vetëm prej ngjyrës së lëkurës”, u shpreh Balde.