Egnatia ditën e djeshme mori një fitore shumë të rëndësishme në kuadër të javës së 24-të të Superiores, duke fituar në shifrat 4-1 përballë Kastriotit. Rrogozhinasit falë kësaj fitoreje janë ngjitur momentalisht në vendin e dytë në kampionat, duke pritur se si do shkojnë ditën e sotme ndeshjet e Partizanit dhe Vllaznisë.

Me pretendime për një kualifikim në kupat e Europës në fund të sezonit, Egnatia po tregon një formë shumë të mirë në javët e fundit. Një prej protagonistëve në fitoren e djeshme kundër krutanëve ishte edhe Alen Sherri. Portieri shkodran që është një titullar i padiskutueshëm, arriti të priste një penallti.

Në një moment ku shifrat mund të shkonin në 3-2 dhe gjithçka të komplikohej për Egnatian, ish-gardiani i Vllaznisë u tregua shumë i saktë përballë Selmanit.

Duke e ‘hipnotizuar’ këtë të fundit në goditjen nga 11 metrat. Kjo është penalltia e dytë që Sherri ka neutralizuar këtë edicion, që tregon për formën e tij të shkëlqyer në këtë Superiore.

Madje Egnatia me 20 gola të pësuar deri në këto momente në kampionat, ka mbrojtjen e dytë më të mirë pas Tiranës që ka pësuar 18 të tillë. Kjo patjetër edhe si meritë e Alen Sherrit, që edhe dje u vlerësua shumë për performancën e tij nga trajneri Tetova.

Për Sherrin ky është sezoni i tij i parë në Rrogozhinë, ku pas eksperiencave me Vllazninë dhe Laçin, 25-vjeçari ndoshta po kalon momentin e tij më të mirë në karrierë.
Endri ÇINARI