Armando Vajushi nis një etapë të re në karrierën e tij, 6 muaj pasi u largua nga Teuta në Superiore. Këtë herë futbollisti shkodran ka zgjedhur të vazhdojë karrierën në Rumani, edhe pse bëhet fjalë për një klub të kategorisë së dytë atje, Petrolul Ploieshti.

Vajushi ishte prej disa ditësh në provë me klubin, por më në fund dje është zyrtarizuar firma në marrëveshjen që e sheh atë të bëhet pjesë e kësaj skuadre të paktën deri në fund të sezonit,

Sipas informacioneve të klubit, Vajushi ka firmosur një kontratë 6-mujore me të drejtën e rinovimit të saj në vijim për sezonin pasardhës në varësi të rezultateve.

Për sulmuesin 28-vjeçar kjo është etapa e 8 e karrierës së tij, ku duhet theksuar se dëmtimet e shumta e kanë lënë për periudha të gjata jashtë fushave të lojës.

Edhe kthimi në sezonin e kaluar në Shqipëri ishte për t’u kthyer në formën më të mirë, por problemet me dëmtimet bënë që ai të humbte gjithsesi pjesën e parë të sezonit aktual. /vipsport/