Përgatitësit fizikë kanë një punë të vështirë përpara dhe janë njerëzit më të rëndësishëm në kohën pas pandemisë. Njëri prej tyre analizon situatën për gazetën “Marca”, duke shpjeguar gjithashtu edhe pasojat që do të sjellë karantinimi.

“Kemi parë shumë pamje të futbollistëve që stërviten në shtëpitë e tyre, nëpër oborre etj. Por kjo nuk vlen për të gjithë. Nuk është stërvitje e njëjtë mes atyre në lulishten e shtëpisë dhe në pallat. Ka nga ata që kanë qenë të vetëm dhe e kanë vuajtur në aspektin psikologjik.

Nëse ke në fëmijë në shtëpi lëviz më shumë, vendos orare për gjithçka. Nëse jo, ndryshojnë rregullat. Është e rëndësishme të themi që faktori psikologjik ndikon te dëmtimet. E kemi shumë të vështirë të punojmë në këtë paqartësi.

Kemi idenë se mund të fillojmë më 12 qershor dhe do të bëjmë planifikimet mbi këtë bazë. Por për një muaj dhe me pak ditë stërvitje në grup, skuadrat nuk do të jenë kurrë në 100% të formës.

Dëmtimet që do të hasim më shumë do të jenë në tendina, në muskujt e pulpës etj. Lojtarët duhet të bëjnë kujdes edhe kur godasin topin. Në shtëpi nuk kanë pasur mundësi që të bëjnë lëvizje në distanca të mëdha, por as të ndryshojnë drejtimin. Ky është problemi që do të hasin, të mos harrojmë pastaj elementet më të rëndësishme, që do të kenë topin dhe kundërshtarin”, thotë ai.