Përmes një aktiviteti të organizuar nga Shoqata Publicistike Sportive “Anton Mazreku”  në bashkëpunim me klubin e parë të futbollit të femrave në Shqipëri, “Juban Danja” u përkujtua figura e komentatorit të njohur sportiv, Ymer Striniqi i ndarë nga jeta dy vite më parë.Për të qënë sa më pranë fushës së futbollit që profesor Striniqi aq shumë e kishte për pasion, në nderim të kësaj figure shumë të njohur publicistike ishte planifikuar zhvillimi i Kupës në dedikim të emrit të tij. Në garë për ta fituar këtë kupë ekipet mediatike të Rajonit të Shkodrës, TV1 Channel, TV Rozafa, Star Plus Tv dhe TV Antena që përfaqësoheshin nga ish kolegët dhe nxënësit e tij në fushën publicistike. Ballafaqimet eleminatore të zhvilluara në kompleksin sportiv “Juban Danja” nën patronazhin e presidentit të këtij klubi, Ferdinand Jaku kualifikuan në finale TV1 Channel që eleminoi Rozafen me penallti dhe TV Antena duke eleminuar, Star Plus. Për të përcaktuar ekipin fitues u luajt finalje në mes TV1 Channel dhe TV Antena. Një finale kjo që foli tërësisht për ekipin e TV1 Channel që duke fituar thellësisht me rezultatin 6 me 0 u shpall fitues i edicionit të dytë të kupës “Ymer Striniqi”. Kupa Ymer Striniqi-televizionet
Në ceremoninë e mbylljes së aktivitetit, krahas një prej figurave të njohura të fushës së futbollit dhe gjykimit, si Hysen Zmijani, Mhill Shkëmbi etj,  përfshirë edhe kolegët më të afërt të profesorit, jo vetëm të Shkodrës, por edhe  të ardhur nga Lezha, Puka dhe Malësia e Madhe, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sporteve të tjera. Ndër to spikatin edhe ato të mundjes, veteranët e nderuar Eljaz Guri dhe Dushan Vaso, të cilët ruajnë kujtime dhe mbresa të veçanta nga pasqyrimi i aktivitetit të tyre sportiv në vite nga i ndjeri Striniqi. Së bashku me to ishte edhe kampioni i botës në mundje Elis Guri, madje ky i fundit, së bashku me nipin e professor Striniqit, Eris Fani i dorëzuan ekipit të TV1 Channel, trofeun e ekipit fitues të këtij turneu.
)Fitore kjo që vjen për herë të dytë radhazi nga ekipi i këtij televizioni duke përligjur ndoshta në një farë mënyre edhe atë që professor Striniqi ka qënë pjesë e këtij televizioni për shumë vite me radhë. Krahas përshëndetjeve dhe vlerësimeve të shumta që shkuan për Ymer Striniqin nga ana e pjesëmarrësve, të pranishmit në mbyllje i ka përshëndetur edhe zonja Striniqi, Perihani,  bashkëshortja e të madhit Ymer Striniqi, e cila ka meritën që si bashkëudhëtare me shokun e saj të jetës i krijoi atij kushtet dhe mundësitë që profesori t’ia kushtonte një pjesë të madhe të jetes së tij pasionit për gazetarinë sportive.I konsideruar si një nga legjendat e mikrofonit sportiv dhe sidomos statistikës që ishte absolut i kësaj fushe, publicisti i njohur sportiv shkodranë e më gjërë  “Ymer Striniqi” do të vijojë të kujtohet dhe nderohet vazhdimisht me shumë respekt,  jo vetëm në përvjetorët e ndarjes nga jeta, por edhe në ngjarje të tjera sportive të qytetit të Shkodrës dhe më gjërë.

Gasper Marku