Para se të devijonte në rrjetë krosin e ardhur nga Atanaskoski, emrin e Endri Çelajt nuk e kishim dëgjuar në arenën e futbollit tonë.
18-vjeçari ka ardhur te Partizani në këtë verë, pas aventurës me të rinjtë e Mariborit.
Ai luan si sulmues dhe mund t’i bëjë të tria rolet e këtij reparti. Çelaj është një lojtar i rritur në disa nga akademitë më të mëdha të Europës.
Në vegjëli ai është stërvitur me ekipet zinxhir të PSG-së në Francë, teksa më pas ka kaluar dy sezone me Hellas Veronën në Itali, përpara se të shkonte te Maribori në Slloveni.
Tashmë i riu është bërë pjesë e Partizanit dhe do të tentojë të fitojë sa më shumë minuta në ekipin e parë për të fituar sa më shumë eksperiencë.