Laçi ka arritur një fitore spektakolare me përmbysje përballë Teutës brenda në shtëpi, në sfidën e vlefshme të javës së 19-të të Superiores.

Sfida nisi mjaft mirë për miqtë, të cilët gjetën dy gola shumë të shpejtë në minutat 12’ dhe 16’.

Gjithsesi, në harkun e dy minutave, 22-24’, kurbinasit gjetën dy herë rrugën e rrjetës me Adeleken dhe Babatunden.

Duket se vendasit u zgjuan nga këto gola dhe tentuan shumë herë, deri sa shënuan dhe dy herë të tjera në pjesën e dytë, me Ujkën dhe Adeleken, duke përmbysur çdo gjë.

Në minutën e 90’ Gruda i dha një fije shpresë durrsakëve me një gol, por që nuk i mjaftoi për të marrë të paktën një barazim.

Kështu Laçi harron mbijetesën dhe hedh sytë nga Europa, ndërsa Teuta nga ana tjetër, vazhdon të vuajë në vendin e parafundit.

REZULTATI:

LAÇI 4-3 TEUTA

Adeleke 22′, 72′, Babatunde 24′, Ujka 68′ / L. Vila 12′, Kallaku (P) 16′, Gruda 90′