U mendua se merkato e Vllaznisë do ishte mbyllur për kuqeblutë pas ardhjeve të Sukajt, Berishës, Mersinit dhe Malotës, por nuk duket kështu. Një lajm i fundit që vjen nga Shkodra ekskluzivisht për Newsport.al është se Pero Pejic është parë në qytetin verior në orët e fundit. Sulmuesi kroat ka qenë në ambientet e hotel “Coloseo”. Një biznes që e zotëron Valter Fushaj, që diskutohet se do marrë edhe presidencën e Vllaznisë në këto muaj.

Drejtuesit kuqeblu kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Pejic. Kjo edhe për shkak të këmbënguljes së trajnerit Gjoka, i cili njeh mjaft mirë cilësitë e sulmuesit. Palët duket se janë afër akordit dhe Vllaznia më në fund do firmosë me “gjigantin” kroat. Pero Pejic ka qenë një nga sulmuesit më të spikatur në vitet e fundit në vendin tonë. Ai është golashënuesi i huaj më i mirë i të gjitha kohërave në Superligë ku me fanellat e Dinamos, Tiranës, Skënderbeut, Kukësit dhe Flamurtarit ka shënuar plot 140 gola./newsport/