Mesut Özil është pezulluar nga klubi i tij, Fenerbahce, për arsye disiplinore dhe nuk dihet se çfarë do të vendosin drejtuesit në ditët në vijim, pra nëse do të rikthehet në stërvitje apo praktikisht nuk do të jetë më lojtar i skuadrës.

Mirëpo përfaqësuesi ligjor i turko-gjermanit, Erkut Söğüt, në qëndrimin e tij theksoi se vullneti i klientit të tij është të përmbushë dy vitet e kontratës që i mbeten me klubin turk.

Özil u zëvendësua në pjesën e parë në ndeshjen e fundit të ligës turke dhe në dhomat e zhveshjes përplasi në tokë këpucët si reagim për këtë vendim të trajnerit Ismail Kartal. Për këtë arsye drejtuesit morën vendimin për ta larguar nga ekipi i parë. Presidenti i klubit turk, Ali Koç, tha dy muaj më parë se Özil duhej të fokusohej te futbolli dhe Fenerbahçe, pasi deri më tani nuk i ka përmbushur pritshmëritë e tyre.

Kur lojtari u kthye nga Gjermania, ku kaloi dy ditë pushim, bëri autokritikë dhe siguroi se gjithçka ishte një keqkuptim. Ai madje kërkoi që të falej nga klubi: “Isha i zemëruar me veten që nuk munda ta ndihmoja skuadrën, por sjellja ime është keqkuptuar. Askush nuk duhet të mendojë se kishte keqdashje në të. Sepse të gjithë e dinë që unë jam një tifoz i vërtetë i Fenerbahçes”, – sqaroi Ozil.

Mesfushori ka shpjeguar arsyen e konfuzionit që ka krijuar këtë shqetësim:

“Mediet kanë përhapur thashetheme se jam takuar me ekipe nga Katari dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto lajme nuk janë të vërteta. Dua ta bëj të qartë se dua të vazhdoj të ushtroj profesionin tim në këtë klub të madh”, – vijoi Ozil, duke e pranuar se vazhdimësia e tij te Fenerbahçe varet nga klubi turk.

Situata e lojtarit nuk ka kaluar pa u vënë re nga Inter Miami, i cili, siç mësohet nga “AS”, do të insistojë për nënshkrimin e tij në verë. Özil ëndërron të luajë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vendimi i tij për klubin e David Beckham varet nga Fenerbahçe, pasi prioriteti i tij është të vazhdojë në këtë skuadër.