Veleçiku i Koplikut do të luajë sot një ndeshje mjaft të vështirë ndaj Gramshit në transfertë. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i koplikasve, Haris Lika, në një intervistë për “Shkodra Sport”, u shpreh se skuadra e tij do përballet me një ekip cilësor siç është Gramshi.

Ai e konsideron si përballjen më të vështirë të sezonit dhe thekson se është një ndeshje vendimtare dhe e rëndësishme për ecurinë e ekipit drejt objektivit që ata kanë, megjithatë Lika kërkon që të shihet si ndeshja e rradhës, që duhet marrë padyshim fitorja dhe jo ndryshe.

“Ndeshja ndaj Gramshit është shumë e rëndësishme për ecurinë e ekipit drejt objektivit që kemi. Gjithsesi, ne duhet ta shikojmë si ndeshje rradhe dhe mos t’i japim “nuanca” finaleje, sepse ka përsëri kampionat. Pas Gramshit, presim brenda në Koplik dy rivalet tona direkte, Orikun dhe Luzin.

Sigurisht, fitorja brenda në Gramsh ka benefite edhe në aspektin psikologjik. Gramshi ka ekip cilësor dhe ne kemi punuar shumë taktikisht, që të kemi përformancë të mirë si grup, por besoj diferencat do t’i bëjnë episodet e ndryshme nga individë të eksperiencës.

Të jem realist, ndaj Gramshit e shoh si përballjen më të vështirë të sezonit, gjithsesi kam shumë besim tek ekipi që drejtoj. Kjo ndeshje është vendimtare për të zënë vendin e parë në renditje, por jo se vendos kalimin në Kategorinë e Parë.

Po mundohem të bëj mirë atë punë që di të bëj më mirë. Në fund, ato që vlejnë janë rezultatet. Jam shumë kërkues në punën time dhe pa arritur objektivin, nuk do jem i kënaqur me çfarë kemi bërë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Veleçikut, Haris Lika.
Maringlen ZHIVANI