Kapiteni i Kastriotit, Sokol Neziri, ka hedhur poshtë akuzat e sulmuesit të Partizanit, Stenio Zhunior, për sjellje raciste gjatë ndeshjes së fundit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 25-vjeçari ka treguar atë që sipas tij është e vërteta e përplasjes me brazilianin e të kuqve. Neziri tregon se ka marrë kërcënime dhe se fjala “majmun” është keqkuptuar totalisht nga Zhunior.

Sokol, pse u përplasët me Stenio Zhuniorin?

Përpara se të tregoj se çfarë ndodhi realisht në fushë, dua t’u them se Zhunior ka gjithnjë të njëjtin avaz sa herë e kemi pasur kundërshtar. Fillimisht u kap me mbrojtësin tonë, Husein, më pas me Karakaçin dhe në fund me mua. Erdhi më goditi pa top afër pankinës së Partizanit, duke më nxjerrë jashtë fushës. As nuk i fola fare apo të debatoja me të për këtë rast. Shokët e skuadrës iu afruan dhe më pas ndërhyra për t’i ndarë.

OK, por Zhunior ju akuzon se i keni thënë: “Je një majmun budalla”. Si është e vërteta sipas jush?

Shikoni, te Kastrioti prej vitesh kemi në skuadër nigerianët Lukman Husein dhe Henri Okebugu. Gjithmonë bëjmë shaka dhe u thërrasim: “Monkey” (majmun).

Të kuptohemi, në kuadrin e batutave dhe ngacmimeve mes shokësh. Duke e përdorur shpesh këtë fjalë në stërvitje me shakatë që bëjmë, na është bërë tani si shprehje.

Unë Zhuniorit i kam thënë vetëm kaq: “Easy monkey!” (qetë majmun). Ndërkohë, ai gjatë gjithë kohës po më provokonte dhe më shante nga nëna dhe familja. Asgjë më tepër nuk i kam thënë. Atë që ia thashë ishte në kuadrin e një shakaje, sepse unë nuk kam lidhje me racizmin.

Kam qëndruar një vit në shtëpi me Huseinin dhe Okebugun, si mund të jem unë racist kur ndaj bukën dhe qëndroj gjithë kohës me lojtarë nga Afrika?! Në mënyrë absolute nuk mund të bëj unë sjellje raciste. Zhunior u keqkuptua dhe kërkoi ta përdorte këtë pjesë sipas interesit të tij. Nëse do ta kisha bërë atë që ai pretendon, jam aq burrë sa ta pranoj, por nuk ka shanse të ndodhë.

Kur u futët në dhomat e zhveshjes, u sqaruat?

Ai vazhdoi të provokonte dhe ofendonte vazhdimisht, më afrohej për të më goditur dhe më kërcënonte se kur të dilnim jashtë do të më vriste… Në rrjetet sociale kam marrë edhe kërcënime, madje një prej lojtarëve që më ka shkruar ka qenë Uilliam Melo, i cili ka luajtur te Partizani dhe Kukësi./PANORAMA-SPORT/