Problematikat me arbitrimin tek Vllaznia këtë sezon kanë qenë të shumta. Jo më larg se edhe në ndeshjen kundër Egnatias të humbur në shifrat 3-0 kishte polemika për golin e parë të rrogozhinasve.

Për këtë ka folur edhe një nga figurat e arbitrimit shqiptar, Mhill Shkëmbi. Tashmë vëzhgues në FSHF, Shkëmbi vuri në dukje gabimin e arbitrit në këtë takim, por edhe theksoi se Vllaznia nuk duhet të krijojë gjithmonë alibi me gabimet e “xhaketave të zeza”.

Shkëmbi tha: “Arbitri Shahini gaboi në akordimin e golit të parë të Egnatias. U pa që sulmuesi i rrogozhinasve ishte disi më i avancuar se mbrojtja e Vllaznisë. Pavarësisht se ka një devijim nga Diagne, është e pallogaritshme pasi mbrojtësi nuk është se e kthen topin qëllimisht, por ka një prekje rastësire.

Edhe VAR në stadiume si ky i Rrogozhinës e ka të vështirë të interpretojë rastin në 100%. Kjo pasi vetë një stadium i tillë nuk është i përshtatshëm për këtë sistem.

Patjetër që ka pasur disa vendime të gabuara këtë sezon kundrejt Vllaznisë. Nuk dua të mendoj në asnjë moment që janë me qëllim, por thjesht gabime njerëzore. Por çdo skuadër thuajse në Superligë ka të njëjtët pretendime si Vllaznia për gabime kundrejt tyre. Por si Vllaznia dhe ekipet e tjera nuk duhet të kërkojnë alibi dhe justifikime tek arbitrat në çdo ndeshje ku pësojnë disfatë”.

Endri ÇINARI