Atletika është një nga sportet elitare në qytetin e Shkodrës. Kampionët kuqeblu kanë qenë të panumërt në këtë disiplinë sportive në dekada e dekada. Por një problematikë me procesin stërvitor në stadiumin “Loro Boriçi” ka shqetësuar disi trajnerët e atletikës shkodrane. Pikërisht për këtë problem ka folur së fundmi Albert Marashi.

Në fjalën e tij Marashi u shpreh duke thënë: “Janë vendosur disa reklama elektronike pre 2-3 javësh në stadiumin “Loro Boriçi”. Vendosja e tyre në atë pozicion ku ndodhen aktualisht na bën që të mos kemi një proces stërvitor si duhet dhe të rregullt. Nuk është normale që diçka e tillë të ndodhë. Patjetër që çdo kush do të reklamojë dhe kjo nuk na prish punë.

Por duhet gjetur vendi ku duhen vendosur. Ose të bëhet si në gjithë botën ku reklamat vendosen vetëm në ditën e ndeshjes. Kjo për më tepër dëmton edhe tartanin që e kërkonim prej vitesh në stadiumin tonë. Në fund të fundit “Loro Boriçi” është një stadium olimpik dhe jo vetëm një stadium futbolli. Kështu që gjitha disiplinat sportive duhet të respektohen.

E sidomos atletika që është sporti që në 103 vite ekzistencë ka sjellë trofe më shumë se asnjë sport tjetër në Shkodër. Kemi bërë një kërkesë që reklamat të spostohen ku kemi marrë një përgjigje pozitive, por ende asgjë konkrete nuk ka ndodhur”.

Endri ÇINARI