Marash Kumbulla rikthehet të flasë përmes kanaleve të tij në rrjetet sociale. Pas dëmtimit të përparmë të gjurit të djathtë, të pësuar gjatë ndeshjes së të shtunës kundër Milanit (që përfundoi 1-1), mbrojtësi shqiptar i Romës shkroi:

“Është e vështirë të gjesh fjalë për të përshkruar situatën në të cilën ndodhem. Sezoni nuk shkoi ashtu siç doja unë, përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme për një sportist”.

Kumbulla më pas përfundoi duke falenderuar tifozët dhe inkurajuar ekipin e tij për finishin e sezonit: “Jam shumë i zhgënjyer dhe do të më duhet kohë për t’u shëruar e për të luajtur përsëri.

Do ta shfrytëzoj këtë kohë për t’u rikthyer edhe më i forte, për t’i ndryshuar gjërat. Faleminderit të gjithëve për mesazhet. Daje Roma!”

Humbja është e madhe edhe për kombëtaren tonë kuqezi, e cila do t’i luajë eliminatoret e radhës të “Euro 2024” në qershor. FSHF ka reaguar pas dëmtimit të qendërmbrojtësit: “Federata Shqiptare e Futbollit, presidenti Duka, trajneri Silvinjo dhe stafi i tij janë pranë mbrojtësit kuqezi në këtë moment të vështirë për karrierën e tij.

Gjithashtu, të gjithë janë të sigurt se Kumbulla do të ngrihet pas këtij rrëzimi momental. Presidenti Duka ka komunikuar me lojtarin duke i uruar rikuperim të shpejtë për të qenë sa më shpejt në fushën e lojës me fanellën kuqezi”.