Ecuria e mirë e Vllaznisë në kampionat nuk ka mjaftuar që problemet tek Vllaznia të eliminohen, por përkundrazi ato po shtohen çdo ditë e më tepër. Ndonëse trajneri I mëparshëm Hasan Lika nuk I shfaqi për asnjë moment, duket se me trajnerin e ri Agim Canaj ato kanë dalë sërish në skenë.

Nga sa mësohet, një nga lojtarët e ekipit ka patur një debat me trajnerin përpara seancës stërvitore të së martës, me pretendimin se kërkonte të luante me çdo kusht në formacion. Megjithatë Canaj është munduar ta kalojë këtë gjë dhe stërvitja ka vijuar normalisht.

Menjëherë pas përfundimit të saj mësohet se trajneri ka lajmëruar të gjithë drejtuesit e klubit dhe ato kanë vendosur që meqenëse këtë javë ekipi nuk ka ndeshje, ditën e mërkurë të mos zhvillonte stërvitje.

Kjo për t’u dhënë mundësinë e sqarimit të të gjithë këtyre gjërave njëherë e mirë. Ndërkohë, nga ana e klubit nuk ka patur një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje por nga sa mësohet, pasdite mund të ketë një mbledhje nga ku do të dalin edhe me vendimet e duhura.

Çështja e ndërhyrjeve dhe e presioneve tek Vllaznia është një fenomen I zakonshëm dhe që duket se nuk ka ndër mend të ndalet pa një dorë të fortë. Vetë administratori Lici pak ditë më parë gjatë mbledhjes së Asamblesë e pranoi që kishte patur kërcënime me armë dhe padyshim që kjo situatë nuk mund të vazhdohet kështu.

Nëse skuadra sot po ecën e sigurtë drejt Superligës, me këto probleme ajo rrezikon seriozisht të mos ketë një ecuri të mirë në të sezonin e ardhshëm.