Humbja në mbrëmjen e djeshme ndaj Uatfordit i ka kushtuar shumë rëndë skuadrës së Fulhemit. Ish-skuadra e drejtuar nga tekniku, Klaudio Ranieri, pas disfatës ka rënë zyrtarisht një kategori më poshtë. Megjithatë, ky fakt thjesht pritej të ndodhte matematikisht, pasi Fulhemi ka pasuar 9 humbje në 9 ndeshjet e fundit.

Por, ajo që vlen të theksohet është se Fulhemi u ngjit këte sezon në Premier League dhe klubi kishte objektiva të tjerë për këtë kampionat, teksa në merkaton verore shpenzuan plot 100 milionë paund. Një shumë e cila nuk justifikon aspak pozitat e tanishme të skuadrës.

Vetëm për 3 futbollistë, drejtuesit e klubit shpenzuan rreth 55 milionë paund për të transferuar sulmuesin Mitroviç, mesfushorët Seri dhe Anguisa, të cilët për asnjë moment nuk arritën të shpërblenin shumën e shpenzuar për ta.

Ndërkohë, në rënien e skuadrës një kategori më poshtë ndikuan edhe marrëdhëniet e jo të mira të lojtarëve të skuadrës me njëri-tjetrin, ndërkohë që klubi ndërroi këtë sezon dy trajnerë, ndër ta edhe Klaudio Ranierin, por në fund asgjë nuk funksionoi dhe Fulhemi 6 javë para përfundimit të Premier League ka zyrtarizuar rikthimin në Championship. /VipSport/