Sot në orën 17:45 u luajt edhe ndeshja e javës së 9-të mes Vllaznisë dhe Bylis. Takimi që mbylli edhe fazën e parë të kampionatit përfundoi me rezultatin 2-1 për shkodranët.

“Shkodra Sport” sjell edhe disa pikante të duelit që u zhvillua në “Loro Boriçi”.

-Ndryshe nga ndeshja e femrave mbrëmë kundër Real Madrid. Vllaznia e meshkujve nuk grumbullon shumë tifozë në stadium. Sportdashësit janë të pakët në shkallët e “Loro Boriçit”.

-Dy shkodranë tek Bylis, Trumçi si titullar dhe kapiten i ballshiotëve. Dhe Qardaku në stolin e rezervave.

-Ideal Lekiqi, trajneri i portierëve të Vllaznisë e ndjek ndeshjen nga tribuna e gazetarëve. Kjo për shkak të pezullimit të tij nga java e kaluar në ndeshjen me Laçin.

-E veçantë, dy kapitenët janë shkodranë, mbrojtësa të djathtë dhe mbajnë numrin 2 në shpinë. Fjala është për Gurishtën (Vllaznia) dhe Trumçi (Bylis).

-Të nervozuar në maksimum Bellai dhe ndihmësi i tij. Kjo pasi Beqiraj ndëshkon me të verdhë një nga lojtarët ballshiotë. Nga protestat e pëson edhe kreu i pankinës mallakstriote, që sheh të verdhin nga ana e kryesorit.

-Ante Aralica i nervozuar me shokët e ekipit. Në një moment kur topi është vakant, asnjë nga futbollistët e Vllaznisë nuk afrohet ta marrë. Fakt që sjell acarimin e kroatit.

-Herald Marku konfirmohet njeriu i momentit. Mesfushori shënon sërish, duke entuziasmuar “Loro Boriçin”. Goli i katërt këtë sezon për mëngjërashin.

-Aralica kapet me tifozat në fundin e pjesës së parë. Sulmuesi nuk i merr mirë kritikat e tifozëve në shkallët e stadiumit dhe shkëmben fjalë në distancë me disa prej tyre.

-Shumë ekspresiv duket trajneri Bellai, ndërsa Josa si gjithmonë i qetë para pankinës së tij.

-Duartrokiten Kruja dhe Aralica nga tifozët në momentin që lënë fushën për Jonuzin dhe Kainan.

-Rikthehet me gol Fjoart Jonuzi. Mesfushori gjen rrjetën falë një gjuajtje nga distanca. Gjithë shokët e skuadrës shkojnë për të përgëzuar numrin 8.

-Shpërthen gjithë stoli i Bylis dhe lojtarët në fushë pasi duan penallti në minutën e fundit. Beqiraj i sigurtë në vendimin e tij duke mos akorduar asgjë e madje duke mos shikuar VAR-in fare.

-Në fund mbyllet mes drithërimash në shifrat 2-1 për Vllazninë që rikthehet tek fitorja pas thuajse 1 muaji. Nga ana tjetër humbja e 3-të rradhazi për ballshiotët.
Endri ÇINARI