Ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit ishte pa dyshim një sfidë shumë e bukur, jo vetëm për gjithçka që ndodhi në fushë, por edhe për momentet e veçanta, që ndodhën jashtë terrenit të blertë. “Panorama Sport” ju sjell çastet më pikante të përballjes.

* Këtë ndeshje e kanë ndjekur rreth 2600 tifozë, numër relativisht i ulët, por i justifikueshëm për faktin se Partizani vendës nuk është në luftë për titullin dhe siç e ka treguar e shkuara në vendin tonë, në të tilla raste, tifozët e humbin interesin. Ajo që ra mjaft në sy ishte prania e konsiderueshme e tifozëve miq, që ishin mjaft të organizuar, si asnjëherë tjetër.

* Kur ishte luajtur rreth një çerek ore lojë, një nga trendet “Big Brother” aplikohet edhe në “Air Albania”. Alket Islami, sportisti i njohur i aeronautizmit, fluturon mbi stadium me një parashutë me ngjyrën e kuqe, me mbishkrimin “Partizani”, dhe i shton hijeshinë kësaj sfide.

* Në pushimin midis pjesëve, vëmendjen e marrin personazhet e “Big Brother”-it, që kishin zgjedhur të ndiqnin ndeshjen nga stadiumi. DJ PM, Meridian Ramçaj, Kledi Hysa dhe Valon Shehu mirëpritën pranë tyre disa nga fansat dhe bënë foto me ta.

* Pak minuta nga nisja e pjesës së dytë, i vënë në siklet nga presioni i Partizanit në zonën e skuadrës së tij, Brdariç nis të shohë kronometrin dhe e bën këtë herë pas here deri në fund të ndeshjes.

*Tifozët e Vllaznisë kishin ardhur në këtë transfertë shumë të organizuar. Në momente të ndryshme të pjesës së parë ata shpalosën një flamur gjigant me ngjyrat kuqeblu, teksa më pas një baner në kuadër të datëlindjes së klubit u vendos në tribunën e tyre. “117 vite futboll, 103 vite krenari”, shkruhej në të.

* Esin Hakaj, pas përjashtimit nga loja, ngjitet dhe e sheh ndeshjen në tribunën e gazetarëve, pranë disa prej të afërmve të tij. Natyrshëm fytyra e mbrojtësit tregon zhgënjim, por qëndron i ftohtë në çdo episod të ndeshjes.

* Në pjesën e dytë, kapiteni i Vllaznisë, Gurishta, dëmtohet dhe nxirret me barelë nga fusha. Brdariç bën gati ndërrimin, por Dianje e ndal me shenja, me Brdariç, që mes vështirësish e kupton. Gurishta heroikisht kthehet në fushë, megjithëse nuk ia del dhe zëvendësohet disa minuta më pas.

* Pas protestave të vazhdueshme, trajneri i shkodranëve, Brdariç, nuk i shpëton kartonit të verdhë nga gjyqtari. Në momentin kur ky i fundit i afrohet për t’i reklamuar të verdhin, shkodranët godasin me ç’kanë në dorë. Gota uji, shishe plastike e akull lëshohen drejt arbitrit Lata.