Ndeshja e javës së 22-të të kampionatit për Vllazninë do jetë ditën e premte në transfertë. Shkodranët do udhëtojnë drejt Korçës për tu përballur me vendasit e Skënderbeut në orën 16:45. Një sfidë që paraqet një dozë të madhe vështirësie, kjo duke parë edhe pozitat ku ndodhet ekipi bardhekuq, që po vuan në fundin e renditjes së kampionatit.

Ndeshjet e sezoneve të fundit kanë folur në favor të Vllaznisë. Kuqeblutë kanë qenë dominues përballë korçarëve, kjo ndikuar edhe nga forma jo e viteve të shkuara e “ujqërve”. Madje shkodranët arritën ti mposhtnin bardhekuqtë edhe në finalen e kupës së sezonit të shkuar, ku fituan në shifrat 1-0 me një gol të Da Silvas.

Për të parë një sukses të Skënderbeut përballë Vllaznisë duhet të kthehemi pas në kohë. Më saktësisht në sezonin 2019-20, Skënderbeu fitonte në javën e 33-të të atij edicioni në shifrat 2-1. Korçarët do kalonin në avantazh me anë të Gripshit fillmisht, por goli i sulmuesit do arrihej nga ana e Krymit që shënonte për shifrat provizore 1-1.

Gjithçka do vendosej nga një shkodran, e më saktësisht Belajdi Pusi, që në minutën e 90-të të ndeshjes i jepte fitoren Skënderbeut. 24-vjeçari do jetë sërish kundërshtar të premten, ku ai ndodhet në sezonin e tij të 3-të me korçarët.

Një tjetër shkodran që është pjesë e Skënderbeut këtë edicion është edhe Ardit Nikaj, që po zhvillon sezonin e tij të parë në Superligë.
Endri ÇINARI